Në Tiranë u mbajt sot edicioni i tretë i Samitit të Diasporës, ku pjesëmarrës ishte dhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Grubi përmes disa fotografive të shpërndara në faqen e tij zyrtare në Facebook shkruan se diaspora shqiptare gjithmonë ka dhënë kontribut në të gjitha çështjet me rëndësi dhe se përmes mërgimatarëve tanë Europa ka njohur vlerat kombëtare shqiptare.
Statusi i plotë:
Në Nëntorin e lavdisë sonë kombëtare, bashkë me kryetarin Ali Ahmeti, kryeparlamentatin Talat Xhaferi dhe ministrin e punëve të jashtme, Bujar Osmani morëm pjesë sot në edicionin e tretë të Samitit të Diasporës Shqiptare në Tiranë.
Angazhimi i diasporës sonë ka qenë krucial në kauzat kombëtare të lirisë dhe është po aq jetik në të gjitha proceset përparimtare që duhen ndjekur, veçanërisht në rrugën tonë të eurointegrimit.
Europa përmes mërgatës ka njohur vlerat tona, siguria dhe stabiliteti i saj qëndron në integrimin tonë sa më të shpejtë.