Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi është deklaruar për situatën e krijuar në veri të Kosovës. Ai dënon ashpër protestat e dhunshme dhe sulmin ndaj forcave të KFOR-it, si dhe ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë, informon Indeks.mk
“Situata në Veri të Kosovës ka ngjallur këto ditë shqetësim të madh ndër ne dhe te mbarë faktori ndërkombëtar. Dënoj ashpër protestat e dhunshme dhe sulmin ndaj forcave të KFOR-it duke apeluar për rikthim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në frymën e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit. Ftoj autoritetet e Kosovës të vazhdojnë koordinimin me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatët tanë të përhershëm, duke pasur gjithmonë në mendje se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe zgjidhja e vetme është njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”.