Gratë në bujqësi, OJQ: Të mundësohet pushim të lindjes me pagesë

October 16, 2023

Maqedonia e Veriut radhitet e fundit në rajon sa i përket respektimit dhe shfrytëzimit të të drejtave të grave në sektorin e bujqësisë.

Kështu ka treguar analiza e fundit të Organizatave Joqeveritare që merren me bujqësi në vend, ku konstatuan se pozicioni i gruas në bujqësi është gjithnjë e shumë më i ulët dhe më i margjinalizuar. Një nga problemet më të mëdha me të cilën ato ballafaqohen është mungesa e shfrytëzimit të sigurimit social, respektivisht atyre nuk u mundësohet të shfrytëzojnë pushimet e lindjes dhe mjekësore me pagesë teksa ata risin fëmijët e tyre.

“Na mungon të kemi pushim të paguar mjekësor dhe të lindjes. Më besoni se është shumë e vështirë që të jesh grua dhe njëkohësisht të punosh në bujqësi apo blegëtori dhe njëherit të rrisësh fëmijët.”, – u shpreh një blegtore.

“Për fat të keq, rezultatet e analizës sonë tregojnë se vendi ynë është radhitur në vendin e fundit sa i përket shfrytëzimit të të drejtave të grave në bujqësi. Për dallim nga ne, në të gjitha vendet ku ne i kemi hulumtuar, ato kanë të drejtën e shfrytëzimit të pushimit të paguar të lindjes dhe të drejtën e pushimit mjekësor që tek ne kjo nuk është praktikë.”, – theksoi Goce Kocevski nga Shoqata e avokatëve të rinj dhe rrjeti për mbrojtjen nga diskriminimi.

Për të zgjidhur këtë problematikë, OJQ-ja vlerëson se nevojitet vullnet politik për të miratuar propozim-ligjin e ri për sigurim shëndetësor, i cili tashmë disa muaj është në procedurë kuvendore e me të cilën njëherë e përgjithmonë do t’u jep fund vuajtjeve të grave në bujqësi.

“Në maj të këtij viti u propozua ligj për sigurim shëndetësor për gratë në bujqësi, me të cilën parashikohet t’u mundësohet atyre pushim të paguar mjekësor dhe të lindjes. Andaj, ne tani u bëjmë thirrje atyre që urgjentisht të rishikojnë këtë ligj që të mund të vazhdojë procedura me të cilën ai do të miratohet dhe do t’u mundësohet grave të drejtën e plotë të sigurimit shëndetësor.”, – u shpreh Dragana Dërndarevska nga OJQ “Margini”.

Hulumtimi i organizatave joqeveritare ka përfshirë gjithsej 9 vende, katër prej të cilave nga Ballkani Perëndimor dhe pesë vende tjera anëtare të BE-së.

Në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, aktualisht po zbatohet programi për sigurim social, ku grave të regjistruara në bujqësi të cilat lindin fëmijë, u jepet ndihmë financiare në vlerë prej 80 mijë denarëve, që sipas OJQ-së këto mjete janë baras si një ndihmë sociale.

Previous Story

3 gjyqtarë nga Kosova ndajnë drejtësinë në miqësoren Shqipëri-Bullgari

Next Story

Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për lojërat e fatit e kaluan filtrin e Komisionit për Çështje Europiane

Latest from Blog

Go toTop