Goditja e fundit/ Deputetët e shumicës nesër “mposhtin” VMRO-në, duke votuar ligjet për Korridorin 8

Me të gjitha forcat dhe duke i shfrytëzuar mundësitë e fundit, nëpërmes fjalimeve të gjata, replikave e kundër-replikave, në Komisionin për Çështje Evropiane, deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare, po tentojnë të vonojnë ndryshimet ligjore që përshpejtojnë dhe lehtësojnë ndërtimin e Korridorit 8-të dhe atij 10D.

Në komisionin e lartë-përmendur dje është miratuar rendi i ditës, kurse sot ka filluar debati për ndryshimet dhe lehtësimet ligjore për realizimin e, siç thonë nga Qeveria, projektit më të madh strategjik.

Të shumta ishin akuzat e VMRO-së në adresë të Qeverisë e kolegëve të tyre deputet të cilët janë renditur krah Qeverisë për realizimin e këtyre dy korridoreve, 8 dhe 10D.

Deputeti i BDI-së, Bajram Kadria në fjalimin e tij, replikues kundrejt deputetëve të VMRO-së tha se, po të ishte VMRO-ja në Qeveri, do ta mbështeste e do ta shtynte këtë projekt përpara pa i hequr e pa ndryshuar qoftë një shkronjë të vetme ose një presje, raporton indeks.mk.

Ai shtoi se deputetët e VMRO-së me fjalimet e tyre po shpifin dhe se gjithçka që ata flasin kundër projektit nuk qëndron dhe nuk është e vërtetë.

Në mbrojtje të projekteve për korridoret dolën edhe disa deputetë e deputete të LSDM-së.

Njëra nga ta tha se VMRO-ja nuk e ka fare hallin e punëtorëve dhe orarit ose të drejtave të tyre, por e gjithë kjo që e bën është politikë ditore dhe se ajo mbron interesin e vet.

Kujtojmë se propozim ligjet që janë dorëzuar në Kuvend, respektivisht në Komisionin për Çështje Evropiane, janë me flamur evropian dhe debati për këto ligje është i kufizuar.

Ndryshe, sot 24 deputetë të VMRO-së janë paraqitur për fjalë dhe pritet që këto ndryshime të votohen ditën e nesërme, në të njëjtën kohë edhe kur do të vendoset gurthemeli për Korridorin 10D, i cili do të jetë i gjatë, 39.3 km dhe do të lidhë qytetin e Prilepit me atë të Manastirit./indeks.mk/

Share

Go toTop