Giorgia Meloni e mbajti premtimin. Kryeministrja italiane mbërriti në Vlorë, me një traget privat të nisur nga Brindisi, për të pushuar disa ditë në bregdetin shqiptar, pasi i premtoi kryeministrit Rama.
Meloni është vendosur në vilën qeveritare në Vlorë, së bashku me familjen e saj, bashkëshortin dhe vajzën.
Më herët kryeministri Edi Rama, e paralajmëroi vizitën e Giorgia Melonit në Shqipëri edhe gjatë një interviste për median italine “Al Foglio”, ndërsa trageti privat, i cili u nis nga Brindizi, u ankorua në portin e Vlorës pasditen e së hënës, mes masave të rrepta të sigurisë.
Me masa të shtuara sigurie është dhe vila qeveritare në Vlorë, ku do të qëndrojë kryeministrja e Italisë me familjen e saj.
Prej kohësh mediat italiane kanë ngritur zërin për çmimet e larta në rajonin e Puglias, një prej më të preferuarve nga italianët brenda vendit. Para se të vinte në Shqipëri, Meloni pushoi disa ditë në bregdetin e Puglias, por nuk ishin çmimet e larta që e bënë atë të kapërcente Adriatikun.
Meloni ka qenë në vëmendje të medias edhe për marrëdhënien shoqërore me kryeministrin shqiptar, i cili e ka konsideruar një motër të vogël për Shqipërinë, dhe një surprizë e madhe për klubin euro-atlantik.
Klan News