Furnizimet në Gazë po shterohen shumë shpejt

October 10, 2023

Rripi i Gazës mund të jetë në prag të një krize të re humanitare, nëse nuk lejohet depërtimi i ndihmave për 2.3 milionë banorët që jetojnë atje, paralajmërojnë organizatat e ndihmave.

Marta Lorenzo, nga Agjencia për Refugjatët Palestinezë e Kombeve të Bashkuara (UNRWA), thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se prej se Izraeli urdhëroi rrethimin e plotë të Gazës më 9 tetor, organizata e saj nuk ka mundur të depërtojë me ndihma shtesë.

“Ne i kemi depot tona ku kemi furnizime, ushqime dhe artikuj bazë që mund t’iu shpërndahen banorëve palestinezë. Por, sigurisht, ato nuk do të zgjasin përgjithmonë. Këto burime po shterohen shumë shpejt. Do të na duhen korridore humanitare që të vazhdojmë të dërgojmë artikuj në Rripin e Gazës”, thotë Lorenzo, drejtore e Zyrës Përfaqësuese të UNRWA-së për Evropën.

Më 7 tetor, grupi militant i Hamasit, i cili ka nën kontroll Gazën nga viti 2007, nisi të sulmonte papritur Izraelin. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore. Përleshjet mes dy palëve vazhdojnë ende.

Autoritetet në Izrael raportuan për së paku 1.000 njerëz të vrarë, ndërsa ato në Gazë për më shumë se 750.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por tha se është “thellësisht i shqetësuar” me rrethimin e plotë që Izraeli i ka bërë Rripit të Gazës.

Izraeli, prej vitesh, kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazë dhe vijën e saj bregdetare, si dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash mund të hyjnë dhe të dalin nëpër pikat e saj kufitare.

Previous Story

Nexhmije Pagarusha jetësohet në skulpturë, e para që i dedikohet një artisteje në Kosovë

Next Story

Nis procesi për rregulloren e re të Kuvendit

Latest from Blog

Go toTop