Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ishte sot pjesëmarrës në panelin “Rruga drejt Prespës, mësimet e nxjerra dhe perspektivat”, në kuadër të ngjarjes Forumi i Prespës për Dialog.
Ahmeti përmes disa fotografive të shpërndara në rrjetin social Facebook, shkruan se vendit vetëm marrëveshjet e paqes dhe vendimet e rëndësishme i kanë sjellë të mira dhe progres, ndaj së bashku duhet punuar për sigurimin e një të ardhme europiane për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Statusi i plotë:
Në panelin “Rruga drejt Prespës, mësimet e nxjerra dhe perspektivat” potencova rolin krucial të vendimmarrjes paqebërëse, progresive dhe në thelb proeuropiane të vendit tonë në vitet që kaluan e që na sollën integrimin në NATO, na afruan akoma më afër dyerve të Europës.
Ky sukses ka ardhur si rezultat i komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me qendrat paqedashëse të Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Racionalitetin e atij veprimi që ndoqëm në Marreveshjen e Prespës duhet ta ruajmë tani në çastin kur duhet të përshpejtojmë hapin tonë drejt integrimit në Bashkimin Europian përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese.
Nuk ka vend dhe kohë për taktizime, në duart tona kemi vendimin për ardhmërinë europiane! Të qëndrojmë bashkë drejt Bashkimit Europian!