“Forca Milan”, Ancelotti nuk harron të bëjë tifo për Rossonerët para derbit ndaj Interit

Carlo Ancelotti nuk e fshehu dëshirën se shpreson që skuadra e tij, Real Madridi të luajë kundër ish-skuadrës, Milanit, në finalen e Ligës së Kampionëve.

63-vjeçari ishte trajner i Milanit në të katër rastet kur ata u përballën më parë me Interin në raundet e eliminimit të Ligës së Kampionëve, duke përfshirë përplasjen e mëparshme gjysmëfinale në vitin 2003.

Me dy tituj të Ligës së Kampionëve me kuqezinjtë si trajner, si dhe dy të tjerë gjatë ditëve të tij të lojës, është e drejtë të thuhet se Ancelotti i uron ish-skuadrës së tij suksese në garën elitare të klubeve evropiane.

Duke folur për kamerat e Mediaset pas barazimit 1-1 me Manchester Cityn në gjysmëfinalen e Realit, Ancelotti nuk ngurroi të thotë “Forca Milan”.

“Është një gjysmëfinale e mirë. Më kujtohet viti 2003, i cili ishte një gjysmëfinale shumë e dhimbshme. Është bukur që një derbi i nivelit të lartë kthehet në Evropë. Me gjithë respektin për Interin, nuk mund të mos them Forza Milan”, ka thënë Ancelotti.

Ndryshe, Milani dhe Interi luajnë sot (e mërkurë) ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, me fillim nga ora 21:00. /Telegrafi

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.