Flet profesori kosovar që u bë katolik: Është e drejta ime të vendos se cilës fe do t’i takoj

Shpend Rrukiqi, profesori nga Drenasi që u tha se u konvertua në fenë e krishterë, ka shkaktuar reagime të mëdha në opinion.
I njëjti, ka folur për lajmi.net. Në reagimin e tij, ai tha se nuk e kupton reagimin e njerëzve për veprimin e tij, pasi që siç shton ai, është pagëzuar një njeri i thjeshtë dhe jo kryeministrit.

“Nuk është kryeministri që është pagëzuar (jo konvertuar) por një njeri i thjeshtë dhe tolerant. Ndaj nuk e kuptoj këtë çmenduri të mediave për të shpërndarë hasmëri dhe përçarje në Kosovën ton të njohur për tolerancë fetare. Jam me pushime”, thotë ai.

 

Tutje, në reagimin e tij dhënë lajmi.net, ai thotë se nuk është konvertuar, por është pagëzuar, pasi që më herët nuk ka pasur orientim fetar.

 

“Të nderuar komentues. Ju lutem të lexoni me vëmendje përgjigjen time. Të kalojmë tek lajmi që portalet e kthejnë dhe titullojnë si ata duan për të peshkuar klikime. Unë nuk jam konvertuar, jam pagëzuar me datën 24, deri atëherë, unë nuk kisha orientim fetar”, thotë ai.

Ai tutje thotë se është e drejta e tij që të vendos cilit religjion t’i takojë.

“Çdo njeri ka të drejtën e vet që të vendos cilir religjion t’i përkas, unë vetëm bëra zgjidhjen time ashtu si ju tuajin. Një gjë ta kemi të qartë, feja nuk është komb dhe ne duhet të jemi tolerant në të drejtën legjitime që njerëzit kanë. Kombi është boshti i kurrizit e feja vetëm një veshje. Por duhet të kemi kujdes që veshja të mos bëhet shumë e ndytë që të mos njollos dinjitetin tonë. Beso në çfarë të duash po beso me nder dhe dinjitet”, tha ai për lajmi.net.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.