Fjalëmadhi e punëpakti Kasami që shëtit Evropës me bërrllokun te dera!

Tetovarët s’po kanë fat me kryetarin e tyre. Prej besimit absolut, te zhgënjimi i madh prej tij.

I besuan shumë, sepse premtoi shumëçka. Edhe ujë për pije, edhe rrugë të rregulluara në qytet e ato rajonale, edhe “luftën” me qentë endacakë, edhe pastrimin e bërllokut si askush më parë…E shumëçka tjetër, madje premtoi një qeverisje me duar të pastra!

Si po kalon koha, premtimet e tij po shfryhen si fluska sapuni!

Por një gjë nuk rresht ta bëjë: fjalët e mëdha dhe salltanati. Sa i lëshoi do “predha” që e frikësoi gjithë Ballkanin me goxha fjalët e mëdha patriotike(ai do ta bëjka edhe një Shqipëri! Ne i qëndrojmë prapa kur ta bëjë që t’i duarktrokasim!),kur, ja, e sheh dhe çuditesh, ka dalë në Evropë! Po na lajmërohet nga Gjermania.

Ne nuk ia mohojmë të drejtën të shëtisë nga të dojë, të marrë ditë pushimi dhe të relaksohet, që nga Sharri e gjer në Mon Blan, por punët kanë njëfarë rendi logjik. Kryetarin e Tetovës ta shohësh nëpër Evropë gjersa rrugët e Tetovës së tij i ka të papastruara, kur bërlloku rri me ditë i pambledhur, nuk duket se ka rend për shëtitje.

Por kjo është ajo logjika e bretkosës që kishte parë kalin te nallbani, dhe kishte shkuar edhe ajo për t’i vënë patkoj. Kur s’ke takat që t’i përmbushësh obligimet e marra nga qytetarët, s’ke çka të shëtitësh metropoleve të Evropës!

Ndoshta s’ka faj ai, por qytetarët që naivisht i besuan kur ia dhanë votën me shpresë se ai vërtet mund të bëjë diçka mirë për qytetin e tyre.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.