A janë të gatshëm dy liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për kompromis lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe të ardhmen europiane të vendit? Amendamentet kushtetuese dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë opsionet për gjetjen e një kompromisi të mundshëm, shkruan Indeks.mk
Nëse dhe në çfarë mase dy liderët janë gati të bëjnë kompromis, nëse do të bëjnë lëvizje apo do të qëndrojnë secili në pozicionet e tyre, do të jetë më e qartë pas takimit. Tani për tani, së paku për Kovaçevskin, opsioni i zgjedhjeve, pra amendamenteve kushtetuese, nuk është në lojë, ashtu siç Mickoski, nga ana tjetër, nuk devijon nga qëndrimi se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese në këtë përbërje parlamentare.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq nuk zbulon se çfarë do t’i ofrojë Kovaçevski Mickoskit në pozitën udhëheqëse për t’i bindur ndoshta deputetët e VMRO-DPMNE-së që t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese.
“Mendoj se vetëm dialogu është zgjidhja më e mirë dhe para se të fillojë procedura në Parlament, është logjike që liderët e partive më të mëdha politike të ulen dhe të bisedojnë. Qeveria do të jetë gjithmonë konstruktive”, thotë Mariçiq dhe shtoi se është e rëndësishme që opozita të kuptojë përgjegjësinë e saj në marrjen e këtyre vendimeve.
Ai beson se tani është momenti kur hapet rruga drejt BE-së, siç thotë ai, këto janë mesazhet nga Brukseli, nga presidenti i Komisionit Evropian dhe nga të gjithë aleatët e tjerë dashamirës të vendit tonë.
“Përgjegjësia e opozitës është e madhe dhe nuk mund të shmanget. E di që ata më së shumti do të donin që dikush t’i zgjidhte problemet, por disa prej tyre do të duhet të marrin pjesë në këtë vendim. Besoj se do të arrijmë deri në atë pikë dhe nuk do të humbasim shansin”, thotë Mariçiç.
Kovaçevski tashmë ka deklaruar se në takimin me Mickoskin do të diskutohet për vendimmarrjen për integrime evropiane të vendit dhe për aktivitetet e të gjitha palëve të interesuara politike në raport me fqinjët. Kryeministri ka shprehur shpresën se VMRO-DPMNE do të ketë sukses që ta tejkalojë veten dhe do të mbështesë një vendim që do ta integrojë vendin në BE. Kovaçevski tha se në takim pret një bisedë të hapur për të gjitha aspektet e të dyja temave dhe se shpreson që ai dhe Mickoski të gjejnë gjuhë të përbashkët se si të vazhdohet drejt integrimit në BE. Kryeministri ritheksoi se zgjedhjet do të mbahen në mandatin e rregullt.
Mickoski, nga ana tjetër, thotë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese sipas diktatit bullgar. Sipas tij, çelësi në bisedimet me Kovaçevskin është hapja e temës – çka pas dështimit të amendamenteve kushtetuese.(Indeks.mk)