Ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe sot para anëtarëve të Komisionit anketues për rastin e Onkologjisë tha se para se të bëhej ministër ka pasur një sistem me të cilin nuk është ditur se çfarë barna janë dhënë, sidomos për pacientët me sëmundje malinje dhe për diabetikët, por që ligji ka ndryshuar dhe që atëherë barnat importohen sipas kritereve evropiane.
Importi paralel i barnave që ka ekzistuar deri në vitin 2018, siç theksoi ai, ka mundësuar që barnat që hyjnë në vend të jenë pa certifikatë cilësie.
Lidhur me blerjen e barnave me fletpranim, Filipçe tha se kjo është bërë që pacientët të mos mbeten pa ilaçe.
“Fletpranimi është që pacientët të mos mbeten pa ilaçe. Në janar keni 100 pacientë me një diagnozë. Në mars kanë ardhur 20 të rinj, ndërsa 100 të parët duhet ta marrin ilaçin për një vit të tërë. Prandaj është marrë me fletpranim. Nuk e justifikoj këtë, por nuk mund të bëjnë asgjë. Pacientët do të mbeteshin pa ilaçe. Sistemi duhet të ndryshohet”, tha Filipçe.
Dhënia dhe kontrollimi i barnave, siç tha Filipçe, është punë e menaxhmentit dhe kryeinfermieres.
“Dhënia, kontrolli i barnave është punë e menaxhmentit. Ministri nuk e di se si jepen terapitë. Është punë e kryeinfermieres, kështu ka qenë gjithmonë”, tha Filipçe.
Për ish-drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev tha se ai është një profesionist i shkëlqyer dhe se nëse ka dyshime në punën e tij, kjo duhet të hetohet.
Para deputetëve tha se nuk ishte i njohur me sistemin KATO, i cili prej vitesh nuk përdoret në Onkologji. Gjatë mandatit të tij, siç tha ai, nuk ka pasur lëshime në punën e Klinikës.
Filipçe tha se sa ishte ministër i Shëndetësisë nuk i ka arritur asnjë informatë se nuk ka ilaç për ndonjë pacient.