Federata e Futbollit të Rumanisë ka dënuar sjelljen e huliganëve të tyre në ndeshjen ndaj Kosovës ku shpalosën banderola nacionaliste dhe bën thirrje ‘Kosova është Serbi’.
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre për rreth 50 minuta para se futbollistët të rikthehen në fushë.
Ishin futbollistët dardanë që i bën të qartë gjyqtarit kryesor se pa u ndalur thirrjet raciste dhe nacionaliste si dhe pa u larguar banderolat nuk do të luanin.
Ndërkohë ka ardhur reagimi i Federatës së Futbollit të Rumanisë (FRF), që ka dënuar sjelljen e huliganëve, derisa kanë falënderuar pjesën tjetër të mbështetësve për përkrahjen që i dhanë.
“Revizionizmi nuk pranohet në futboll dhe FRF dënon ashpër mesazhet provokuese të natyrës politike, ideologjike, fetare apo fyese, të cilat janë kategorikisht të ndaluara në stadiume”, ka shkruar Federata rumune.
“FRF shpreh keqardhjen për përvojën e keqe të përjetuar nga shumica e shikuesve dhe gjithashtu i falënderon ata për mbështetjen fantastike që i ofruan ‘trengjyrëshve’ në pjesën e dytë të ndeshjes, duke i çuar në një fitore dramatike!” thuhet në deklaratën e FRF. /Telegrafi/