Eskobari e la VMRO-në pa alternativë!

Një deklaratë e Gabriell Eskobarit për Zërin e Amerikës, mund ta ketë lënë “pa tekst” opozitën në Maqedoni, sepse iu drejtua me një porosi që “e çarmatos” nga çdo argumentim. Sepse opozitës, nëse e lexojmë midis rreshtash, nuk i thotë të heq dorë nga të kritikuarit e qeverisë, por të mos heqë dorë nga rruga evroatlantike e vendit!

“Ne nuk kërkojmë nga opozita ta mbështesë kryeministrin. Kërkojmë nga opozita të mbështesë rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Kjo është marrëveshja më e mirë që kemi marrë. Kjo është e arsyeshme, mendoj tani për tani dhe duhet të vazhdojmë përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, shpresoj se të gjitha palët e spektrit politik i mbështesin ndryshimet e nevojshme në mënyrë që të mund të ecim përpara në avancimin e kandidaturës së Maqedonisë së Veriut”, ishte deklarata e zëvendësndihmës sekretarit amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, sepse siç nënvizoi, “vendi duhet të ecë përpara sa më shpejtë të jetë e mundur”.

“Ajo që do të doja të dëgjoja nga opozita është përkushtimi në rrugën e integrimeve euroatlantike. Dhe kjo përfshin shqyrtimin e mënyrave si Maqedonia të arrijë në Konferencën e ardhshme ndërqeveritare. Do të thoja se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga Maqedonia e Veriut. Kemi një vend që ka bërë gjithçka që është e nevojshme për të kaluar në hapin tjetër dhe mendoj se e meriton hapin tjetër. Dhe mendoj se të gjithë, si brenda Bashkimit Evropian ashtu edhe në strukturat politike të Maqedonisë së Veriut, duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që kjo të ketë sukses”, nënvizon Eskobari.

Në këtë intervistë ai përmendi edhe projektin më të ri të ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10D, të cilat i kundërshton në çdo mënyrë opozita me pretekstet e veta.

“Kemi një dialog me Qeverinë për pohime konkrete dhe mbështetje konkrete që mund të ofrojmë. Mund t’ju them se nga Uashingtoni, shqetësimi ynë më i madh është se korrupsioni është një nga sfidat më të mëdha për mbarë rajonin, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut. Sekretari Blinken dhe kryeministri Kovaçevski kanë diskutuar gjatë për këtë në takimin e tyre, mënyrat rreth asaj se si mund të punojmë së bashku për të reduktuar korrupsionin në rajon. Kemi një interes të fuqishëm që të angazhohemi që Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera në rajon të bëjnë pjesën e tyre për të zvogëluar korrupsionin dhe për të zbatuar sundimin e ligjit. E vetmja gjë që mund të them është se kemi një partneritet të mirë me Maqedoninë e Veriut. Ata po bëjnë reforma dhe ne duhet të vazhdojmë ta thellojmë këtë bashkëpunim”, ka qenë porosia e skobarit nga intervista për Zërin e Amerikës, që dje shënoi 80 vjetorin e fillimit të punës.

Nga sa mund të analizohet, Eskobari e ka prekur thelbin e problemit.

Nëse analizohen porositë e tij, ai nuk e konteston veprimin dhe kauzat opozitare, por gjithsesi, lë të kuptohet se eprimi opozitar nuk duhet të rrezikojë rrugën eurotlantike të vendit.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.