Ndoshta do të duhej partitë politike që të nënshkruajnë ndonjë bonton të mirësjelljes në diskursin publik, me të cilin do të zotoheshin se nuk do të përdorin fatkeqësitë njerëzore për përplasje politike midis tyre.
Këtë e themi nga përvoja e deritashme, e për këtë, shkas të mirëfilltë na dha, kushedi për të satën herë, Hristijan Mickoski.
Siç shkruan indeks.mk, ai sot në “fushatën” “Është me rëndësi! Prej teje varen ndryshimet” në komunën Aerodrom, e ka shfrytëzuar rastin që të akuzojë qeverinë për ngujimin e qytetarëve të Maqedonisë Izrael, për mosaftësi dhe moskujdes ndaj tyre…Sipas tij, shtetet tjera fqinje të Maqedonisë, tashmë i kanë kthyer qytetarët e tyre, ka mbetur vetëm Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së pasi na qenka “e paaftë (në përmasa) epike” pasi për qytetarët tanë s’ka kush të kujdeset dhe s’ka kush t’i sjellë në shtëpi.
Nuk e dimë çfarë të dhënash disponon Mickoski, sa qytetarë, a janë dhjetëra apo qindra sish, që kanë mbetur peng i situatës në Gaza. Ajo që u përmend oficialisht nga ministri i jashtëm Bujar Osmani, bëhet fjalë për një çift bashkëshortor që ka mbetur në Gazë, për të cilin tha tha se objektivisht nuk ka mënyrë se si të largohet prej andej.
Në aspektin e imperativit, Mickoski mund të shprehte brengosjen për fatin e qytetarëve të Maqedonisë, por nuk është faji i Qeverisë që në Gaza ndodhi kjo që ndodhi papritmas me sulmet e Hamasit dhe me kundërsulmin e forcave izraelite.
Atje nuk mund të aterrojnë as ngritën aeroplanë në këtë moment të përshkallëzimit dhe vdesin me dhjetëra e qindra njerëz. Çfarë fluturimesh do të organizonte Mickoski po të ishte sot në vend të Kovaçevskit?
Zaten, në këto raste, është me rëndësi edhe bashkëpunimi midis vendeve dhe prej andej pati disa qytetarë të Maqedonisë që qenë e evakuuar me një fluturim në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Ngjarjet rrodhën asisoj që u kufizua në maksimum çfarëdo organizimi evakuimesh dhe Mickoski duhet ta dijë se çka po ndodh atje, e jo të keqpërdorë rrezikun dhe fatkeqësinë njerëzore për t’i qëruar hesapet me partitë në pushtet. Kjo, për shkak se nuk është etike.
Me sa dimë, deri tash nuk e ka pësuar ndonjë qytetar i Maqedonisë në zonat e konfliktit. Çka do të thoshte Mickoski po të ishte republikan i Amerikës në këtë moment, kur zyrtarisht mbi 20 amerikanë kanë humbur jetën nga sulmet e Hamasit? Do ta shpallte Bajdenin të paaftë për t’i evakuuar?
Keqpërdorimi i fatkeqësisë njerëzore është gjëja e fundit për të bërë marketing politik, gjë të cilën me gjasë Mickoski s’e çan kokën, mbase i verbuar nga qëllimet e tij makiaveliste./indeks.mk