Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, homologut të tij egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, gjatë një bisede telefonike i ka përcjellë se “migrimi i detyruar i palestinezëve është i papranueshëm”, transmeton Anadolu.
Siç njofton Drejtoria Turke e Komunikimeve, presidenti Erdoğan tha se “të detyrosh palestinezët në Gaza të emigrojnë nga vendlindja e tyre është e papranueshme”, duke theksuar se “Türkiye do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje në mënyrë që të sigurohet paqja dhe që ndihma humanitare dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor t’i dërgohen menjëherë Gazës”.
Thirrja midis dy liderëve trajtoi konfliktin Izrael-Palestinë që po bëhet “gjithnjë e më i rëndë”, shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera nga Izraeli kundër civilëve të pafajshëm dhe hapat që mund të ndërmerren për zgjidhje.
Duke theksuar se mizoritë në tokat palestineze po “thellohen më tej”, presidenti Erdoğan tha se “heshtja e vendeve perëndimore” ndaj bombardimeve të spitaleve, shkollave dhe vendeve të adhurimit shkakton që “zjarri në Gaza të bëhet më i madh”.
Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumëanshëm që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës, së bashku me shtimin e bastisjeve dhe arrestimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Rrethimi izraelit ka lënë 2.3 milionë banorët e Gazës me pak ushqim, ujë, karburant dhe furnizime mjekësore. Sulmet dhe bllokada izraelite i kanë çuar shërbimet dhe burimet thelbësore të Gazës në prag të kolapsit.