Elon Musk është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Donald Trumpit, por ekspertët thonë se arsyeja nuk është thjesht e lidhur me interesat e biznesit, por edhe “Make America Great Again” (Bëje Amerikën Përsëri të Madhe) .
Elon Musk, njeriu më i pasur në botë dhe pronar i platformës X, si dhe CEO i SpaceX dhe Tesla, është bërë mbështetësi më i madh i kandidatit republikan për president, Donald Trump, duke pohuar madje se ai po rrezikon jetën për të ndihmuar në rikthimin e 78-vjeçarit në Shtëpinë e Bardhë.
“Po rris në mënyrë dramatike rrezikun që të vritem, dhe angazhimi në politikë nuk është ajo që dua të bëj. Nuk kam dëshirë që të vdes”, tha Musk në Pittsburgh në muajin tetor dhe shtoi se “por, situata është aq e rëndësishme sa nuk kam zgjidhje tjetër veçse të përfshihem”, raporton euronews.
Por miliarderi i teknologjisë nuk ka qenë gjithmonë mbështetës i Trumpit.
Ekspertët më parë e kanë përshkruar atë si njeri liberal nga Silicon Valley, ndërsa Musk e ka quajtur veten si “centrist” dhe “politikisht i moderuar”.
Pas zgjedhjes së Trumpit në vitin 2016, miliarderi amerikane u ftua në Kullën Trump për t’u takuar me presidentin e atëhershëm.
Musk, në atë kohë, tha se mendonte se mund ta “bindte” dhe të “ndikonte” tek republikani për premtimet e fushatës që përfshinin ndryshimin e politikave mbi emigracionin, sipas gazetares së teknologjisë, Kara Swisher, në librin “Burn Book”.
Pse, atëherë, ky sipërmarrës i njohur tani është duke e mbështetur aq fuqishëm Trumpin duke u shfaqur në skenat e tubimeve dhe duke shpenzuar gati 120 milionë dollarë (111 milionë euro) për një komitet politik (PAC) që mbështet Trumpin?