Hipertensioni është një gjendje shumë e zakonshme sot, ku rreth 40% e popullsisë së rritur të botës vuan nga presioni i lartë i gjakut.
Sipas ekspertëve, arsyeja kryesore e kësaj tendence në rritje është dieta jo e shëndetshme dhe veçanërisht konsumi i lartë i sheqernave, i cili ndoshta rrit presionin e gjakut përmes disa mekanizmave, si rritja e rezistencës ndaj insulinës dhe mbajtja e natriumit.
Në çdo rast, hipertensioni nuk është një problem i izoluar, por një gjendje që potencialisht mund të çojë në rreziqe të tjera serioze shëndetësore, si sëmundjet kardiovaskulare.
Në kuadër të përpjekjes afatgjatë të shkencëtarëve për të gjetur metoda të rregullimit të presionit të gjakut, një grup ekspertësh arritën në një përfundim të rëndësishëm: Sipas studimit përkatës të publikuar në mSystems, listës së substancave të mundshme antihipertensive i shtohen dy probiotikë specifikë, të cilët kanë një veprim mbrojtës kundër hipertensionit.
Studiuesit testuan dy shtamet probiotike Bifidobacterium lactis dhe Lactobacillus rhamnosus te minjtë që zhvilluan presion të lartë të gjakut pasi kishin pirë ujë të përzier me fruktozë.
Në një studim të përgjithshëm klinik që zgjati 16 javë, presioni i gjakut i kafshëve u mat çdo 4 javë.
Studiuesit përfundimisht zbuluan se minjtë që ushqeheshin me fruktozë dhe u dhanë probiotik kishin presion të ulët të gjakut sesa ata që nuk trajtoheshin me probiotikë, duke i çuar ekspertët në përfundimin se probiotikët ishin efektivë në kthimin e presionit të gjakut në nivele normale.
“Disa prova mbështesin efektin antihipertensiv të probiotikëve dhe ushqimeve të fermentuara,” tha Dr. Li një biolog në Universitetin e qytetit të Hong Kongut. Ekipi i tij bashkëpunoi me mikrobiologun Zhihong Sun, nga Universiteti Bujqësor i Mongolisë së Brendshme, në studim. “Ne menduam se marrja dietike e ushqimeve probiotike do të funksiononte si ndihmës ndaj trajtimit tradicional të hipertensionit,” shtoi ai.
Studiuesit gjithashtu donin të hetonin mënyrat në të cilat ndryshimet në mikrobiotën e zorrëve mund të ndikojnë në presionin e gjakut, kështu që ata gjurmuan ndryshimet e shkaktuara nga marrja e probiotikëve në mikrobiomën e zorrëve, për të identifikuar mikrobet specifike dhe rrugët metabolike që mund të shpjegojnë këtë efekt mbrojtës.
Vëzhgimi i tyre çoi në një gjetje të rëndësishme: Konsumi i lartë i fruktozës nga brejtësit çoi në një rritje të Bacteroidetes dhe një ulje të Firmicutes. Megjithatë, trajtimi me probiotikë i riktheu këto popullata në nivele normale.
Së fundi, analiza identifikoi popullata të reja mikrobike të lidhura me presionin e gjakut: Rritja e niveleve të baktereve Lawsonia dhe Pyrolobus dhe ulja e niveleve të Alistipes dhe Alloprevotella u shoqëruan me presion më të ulët të gjakut.
Studiuesit tani po planifikojnë një provë të madhe klinike për të parë nëse gjetjet e tyre vlejnë për njerëzit.
“Probiotikët përfaqësojnë një rrugë premtuese në mjekësinë parandaluese, duke ofruar potencial në modulimin e hipertensionit dhe riformësimin e qasjes sonë ndaj shëndetit kardiovaskular”, përfundoi Dr. Sun. /Shqip.com