Drejt fundit shpronësimet e projektit Korridori 8

Me konceptin e ri të ndërtimit, parashikohet që autostradat në vend të ndërtohen më shpejt. Pritet që projektimi dhe ndërtimi të lëvizin paralel, duke kursyer kohë në raport me projektet e mëparshme si ai Kërçovë Ohër kur duhej 100 për qind projektim i trasesë për të arritur tek ndërtimi. Gjithashtu përskaj përshpejtimit të realizimit të projekteve kapitale, do të ketë edhe mekanizma të kontrollit të shtetit, që do të ulin ndër të tjerash edhe pengesat administrative.

Edhe pse në teren në shikim të parë duket se pak punohet megjithatë kompania “Bechtel dhe Enka” në muajt e kaluar dhe para vitit të ri ka punuar edhe në rrugët hyrëse paralele për ndërtim, sepse ka pjesë të paqasshme nga Gostivari deri në Kërçovë, si dhe rrugët hyrëse që duhet të bëhen gjatë gërmimit të materialit, ku shpërthimi i terrenit është bërë para disa muajsh. Njëherësh Qeveria ka sjellë dy vendime për përcaktimin e trasesë, me pozitën e autostradës në ato breza tashmë të përcaktuar. Paralelisht po punohet për zgjidhjet projektuese, po punohet për të gjitha lejet dhe shpronësimet si dhe punët e tjera.

Kompania “Bechtel dhe Enka” sivjet do të fitojë 250 milionë euro nga arka e shtetit, pasi fitoi 240 milionë euro në vitin e kaluar. Këto mjete financiare janë të dedikuara për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep-Manastir, që janë shpallur në programin e financimit të infrastrukturës rrugore për projektin Korridori 8 dhe Korridori 10D.

Raportet e fundit tregojnë janë përfunduar 89 për qind të shpronësimit për autostradën Gostivar – Tetovë, 70 për qind për Manastir – Prilep.

“Provat gjeo teknike janë realizuar që nga fillimi i vitit në segmentet Gostivar – Tetovë, Bukojçan-Gostivar dhe Manastir-Prilep. Punime tokësore ka pasur edhe në segmentin Bukojçan-Gostivar dhe Manastir-Prilep, ndërsa segmenti Qafëthanë-Trebenishtë-Strugë nuk ka aktivitet”, tregon raporti i mbikëqyrjes për ecurinë e ndërtimit të autostradave që po ndërton konsorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”.

Gjatë muajit janar të këtij viti, kontraktori ka punuar kryesisht në shpronësimin, rrjetin gjeodezik, rilevimin topografik, hetimet gjeoteknike, specifikimet dhe projektimin e autostradës. Shpronësimet për trasetë tjera janë me 27 për qind për Bukojçan-Gostivar.

Për Gostivar-Tetovë janë përgatitur 88 për qind të projekteve urbanistike, për Bukojçan- Gostivar 28 për qind dhe për Manastir-Prilep 75 për qind. Për Gostivar Tetovë dhe Bukojçan Gostivar janë kryer 75 për qind të rilevimeve topografike, ndërsa për dy seksionet e tjera nuk ka aktivitete të tilla. Njëherësh janë bërë 61 për qind e testimeve të nevojshme gjeoteknike për rrugën Gostivar-Tetovë, 49 për qind për Bukojçan-Gostivar dhe 34 për qind për atë Manastir-Prilep. Për ecurinë e mirë të punës flasin edhe faktet se në raportin për periudhën një nëntor deri më 31 dhjetor ishte theksuar se janë kryer plotësisht 58 për qind e projeksioneve për shpronësim, si dhe 33 për qind e rilevimeve gjeoteknike.

Sipas drejtorit të Ndërmarrjes shtetërore të Rrugëve, Ejup Rustemi, modeli i ri i ndërtimit të autostradës në Maqedoni jep rezultate më të mira dhe mundëson rritje të ritmit të punës. “Në këtë moment bëhet paralelisht shpronësimi, projektohet, kryhen prova gjeomekanike dhe kemi edhe punime ndërtimore. Ky është modeli i ri i ndërtimit të autostradës, ku me këtë model të ri do të ndërtojmë 23 kilometra autostradë në vit, jo me modelin e vjetër që ndërtonte 5.3 kilometra autostradë”, sqaron Rustemi.

Sipas tij, autoritetet janë në kontakt të vazhdueshëm me planifikuesit, me mbikëqyrësit, me kompanitë e punësuara, konkretisht konsorciumin “Bechtel dhe Enka” për të gjitha çështjet, në mënyrë që projekti të realizohet sa më shpejt. Kontrata me “Bechtel and Enka” me vlerë 1.3 miliard euro është nënshkruar në mars të vitit të kaluar. Ajo duhet të përdoret për të ndërtuar një rrjet autostrada me një gjatësi totale prej 109 kilometrash në një terren pjesërisht edhe mjaft të vështirë dhe të papërshtatshëm.

Projekti i ndërtimit për seksionet e korridoreve 8 dhe 10D përfshin shtatë kryqëzime, 34 ura, 34 mbikalime, 24 nënkalime, mbi 21 milionë metër kub gërmime, mbi 10 milionë metër kub argjinatura dheu, 620,000 milionë metër kub beton, 22 metra kub të nënshtresës, 1.1 milion ton asfalt mbi 6000 dhe 320 km gardh mbrojtës, thekson Enka në faqen e saj të internetit.

“Nga autostradat tjera në ndërtim, muajin e kaluar Parlament miratoi amendamentet ligjore me të cilat 31 dhjetori 2026 caktohet si afat për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër 57 kilometra, e cila është në ndërtim e sipër që nga viti 2014. “Zgjatja është për shkak të shfaqjes së 13 rrëshqitjeve të reja në trase, si pasojë e projektit fillestar joadekuat dhe fillimit të parakohshëm të ndërtimit të këtij seksioni”, sqaroi Qeveria për projektin që po ndërton kompania kineze ‘Sinohydro’.

Nga autostrada Shkup-Bllacë në ndërtim e sipër, me gjatësi të përgjithshme prej 12.5 kilometra, ndërtimi i dy kilometrave të parë është në fazën përfundimtare, ndërsa për pjesën tjetër të fazës së dytë është vlerësimi i ofertave për zgjedhjen e kontraktorit./Koha.mk/

Share

Go toTop