Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar një muaj paraburgim tre të dyshuarve për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Mirlinda Gashi, përmes komunikatës për media.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Nxitja e përqarjes dhe mos durimit nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, konfirmoj Gashi.
Lum Dervishi 24-vjeçar po dyshohet nga Prokuroria Speciale se së bashku me Kenan Hasanin 23-vjeçar dhe Okan Hasani 24-vjeçar mbrëmjen e 11 prillit rreth orës 23:00 në lagjen “Bregu i Diellit” kanë sulmuar gazetarin Valon Syla.
Sic raporton kallxo.com, Prokuroria në dosjen e saj për rastin, përshkruan se sulmi ndaj gazetarit Syla ishte i motivuar me ideologji ekstreme radikale islame me motiv të nxitjes së urrejtjes fetare përçarjes e mosdurimit.
Kjo pasi dyshohet se që të treshja e arrestuar rreth 24 orë pas sulmit pas një postimi në rrjete sociale nga Valon Syla kanë marrë shkak për ta sulmuar të njëjtin.
Prokuroria në kërkesën e saj për paraburgim ndaj të dyshuarve ka konsideruar se të njëjtit nëse hetohen gjatë kohës sa janë në liri mund të arratisen, mund të përsërisin veprën penale duke marrë për bazë peshën e veprës të cilën kanë kryer pasi parashihet dënim me burg nga 1 deri në 8 vite.
Valon Syla është sulmuar më 11 prill nga tre presona në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë. Syla pak pas sulmit fizik ndaj tij kishte deklaruar se personat që e kishin sulmuar kanë qenë “islamik fanatikë” dhe e kishte ndërlidhur sulmin me postimet e tij rreth një veture “Mercedes” që i është dhuruar fundjavën që shkoi imamit nga Prizreni Mazllam Mazllami.