DOKUMENTE/ SKANDAL FINANCIAR, Kasami i “falë” mbi 4 milion denarë të punësuarit në kabinetin e tij

Keqpërdorimet dhe mallverëzimet në Komunën e Tetovës nuk kanë të sosur. Informacionet e fundit të cilat i ka siguruar portali informativ, indeks.mk zbulojnë që kryetari i Komunës së Tetovës së fundi ka ndarë dy kontrata “tendera” në vlerë mbi 4 milion denarë për një të punësuar në kabinetin e tij.

Këto mjete janë transferuar në xhiro-llogari të kompanisë “I-Point Marketing”, pronar i të cilit sipas dokumenteve është Mensur Aliti, që sipas burimeve të sigurta të indeks.mk është edhe i punësuar në kabinet të kryetarit të Komunës së Tetovës në sektorin e furnizimeve publike.

Aliti, ka fituar dy kontrata nga Komuna e Tetovës. Njëra kontratë kap vlerën e 2.003.649.00 denarë, kurse e dyta, 2.118.644 denarë. Mjetet e transferuara në xhiro-llogari të kompanisë “I-Point Marketing”, janë bërë me nënshkrim të dy anshëm me arsyen që “I-Point Marketing”, të përgatis dhe të “Përpiloj materiale promotive dhe brendim të qytetit”.

Kohëzgjatja e kontratës mes kompanisë dhe komunës është një vjeçare dhe në të njëjtën parashihet që realizuesi obligohet që shërbimet të cilët janë lëndë e kontratës ti realizojë në mënyrë sukcesive, sipas nevojës organit kontraktues.

Kontrata e dytë e nënshkruar me të njëjtën kompani e cila kap vlerën prej 2.118.644.00 është nën arsyetimin se “I-Point Marketing”, do ta furnizojë Koumën e Tetovës me materiale “të shtypura”.

 

Kujtojmë, të dy kontratat vlera totale e të cilave shkon 4.122.293 milionë denarë edhe atë pa përfshirë këtu tatimin e vlerës së shtuar.

Ndryshe, Mensur Aliti është i njohur në opinion për afërsinë me zyrtarë të lartë të Lëvizjes Besa. Ai për momentin në kabinetin e Kasamit është i angazhuar në sektorin e furnizimeve publike. I njëjti, njihet si njeri i afërt e besnik i Adnan Azizit, i cili në periudhën kur Besa ka qenë në pushtet ka qenë i angazhuar në kabinetin e zv.ministrit, Sedat Sulejmani./indeks.mk/

Share

Go toTop