Turizmi e diplomacia kulturore në Kosovë kanë marrë tjetër përmasë falë “DokuFestit”. Por festivali ka edhe një kontribut direkt: atë ekonomik. Shifrat flasin se në edicionin e vitit të kaluar Festivali ka pasur ndikim direkt ekonomik rreth 4 milionë euro, përderisa shifrat e vizitorëve kanë shkuar në mbi 16 mijë. Instituti GAP ka publikuar raportin “Ndikimi ekonomik i Dokufest 2023”. Shifrat e shpalosura aty tregojnë se Festivali është kthyer te parametrat e kohës para pandemisë
Raporti nxjerr në pah se në vitin 2023, numri i përgjithshëm i vizitorëve të edicionit të 22-të të Festivalit ishte 16 mijë e 756 veta.
“Për më shumë, krahasuar me shpenzimet e bëra për organizimin e ‘DokuFest’ 2023, gjetjet tregojnë se për çdo 1 euro të investuar janë gjeneruar 7.8 euro për ekonominë e Kosovës”, shkruhet në raport. Organizimi i edicionit të kaluar ku janë shfaqur 230 filma ka kushtuar 516 mijë euro.
Të dhënat e GAP-it tregojnë se nga 16,756 vizitorë, rreth 7 mijë e 138 ose 43 për qind ishin për herë të parë në Festival, ndërsa 9 mijë e 618 ose 57 për qind kanë marrë pjesë edhe në edicionet e mëparshme.
GAP ka marrë edhe të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës rreth qarkullimit të bizneseve në Prizren gjatë muajit gusht 2023
“Rezulton se të hyrat e bizneseve janë rritur me 20% (gjithsej 117 milionë euro) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 (98 milionë euro)”, shkruhet në raport.
Aty del se shpenzimet mesatare ditore të blerësve të biletave që janë banorë të Prizrenit gjatë “DokuFest” ishin 52.9 euro, ndërsa të pjesëmarrësve nga vendet jashtë Prizrenit ishin 101.17 euro.
“Pjesa më e madhe e shpenzimeve të vizitorëve nga vendet jashtë Prizrenit shkon për kategorinë e akomodimit (28%) dhe atë të ushqimit dhe pijeve (23%)”, shpaloset në raport.
Në raport sqarohet edhe metodologjia e punës për mbledhjen e të dhënave. Aty tregohet se Instituti GAP ka bërë një vlerësim të ndikimit ekonomik të “DokuFest” përmes mbledhjes së të dhënave parësore dhe dytësore dhe interpretimit të tyre në aspektin ekonomik. Tregohet se të dhënat janë mbledhur përmes anketimit të pjesëmarrësve të festivalit lidhur me shpenzimet e tyre gjatë pjesëmarrjes në festival. Anketimi është kryer nga kompania e specializuar për mbledhjen e të dhënave “UBO Consulting”. Blerësit e biletave dhe jo-blerësit të biletave qenë dy kategoritë e anketuara..
“Të dhënat parësore janë mbledhur nga një pyetësor i cili vlerëson shumën dhe mënyrën e shpenzimeve të vizitorëve gjatë ditëve dhe netëve të ‘Dokufest 2023’. Pyetësori që është përdorur ka për qëllim të zbërthejë shpenzimet e përgjithshme të vizitorëve nëpër sektorë të ndryshëm për të parë destinimin e tyre dhe rrjedhimisht për të vlerësuar ndikimin e festivalit nëpër këta sektorë”, shkruhet në raport. Bëhet e ditur se për të siguruar saktësinë dhe përfaqësimin e të dhënave, për kategorinë e parë është përzgjedhur një mostër prej 650 vizitorësh që kanë blerë bileta. Në këtë rast
“Në përzgjedhjen e mostrës, është zgjedhur çdo i/e pesti/a blerës/e i/e biletave në shtandet e shitjes së biletave deri sa është arritur mostra prej 650 vizitorësh. Marzha e gabimit në rezultatet e anketës së parë ishte 3.8%”, sqarohet në Raport. Për kategorinë e dytë, është përzgjedhur një mostër prej 380 vizitorësh që kanë vizituar Prizrenin në atë kohë, por nuk kanë blerë bileta. Edhe në këtë rast është përzgjedhur çdo i pesti vizitor. Në këtë rast, marzha e gabimit në rezultatet e anketës është llogaritur 5 për qind.
Raporti bën të ditur se rreth 5 mijë e 50 vizitorë ishin shtetas ndërkombëtarë që kishin ardhur në Kosovë enkas për të ndjekur Festivalin.
“Nga kjo shifër 3,197 (63%)prej tyre ishin për herë të parë në Kosovë, ndërsa 1,856 (37%) prej tyre e kishin vizituar vendin edhe në të kaluarën. Nga ata që e kishin vizituar Kosovën edhe në të kaluarën, 1,031 e kanë vizituar Kosovën disa herë, ndërsa 825 prej tyre e kanë vizituar një herë”, shkruhet në Raport. Të dhënat flasin se 76 për qind e vizitorëve ishin shumë të kënaqur me përvojën e përjetuar në Festival.
Pos ndikimit direkt me rreth 4 milionë euro vlerësohet se ndikimi në bruto produktin vendor është mbi 2.8 milionë euro. Krahasimet e shifrave nxjerrin se për çdo 1 euro të investuar në Festival, janë gjeneruar 7.8 euro për ekonominë e vendit, përderisa nëse analizohet kthimi në investime vetëm nga fondet publike, del se për çdo 1 euro të investuar, janë gjeneruar 22.8 euro. “DokuFest” në mënyrë direkte nga shteti është përkrahur me 106 mijë euro. Prej tyre 100 mijë euro nga Ministria e Kulturës dhe 6 mijë euro nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Të hyrat e Festivalit nga shitja e biletave, suvenireve dhe shërbimeve të tjera, dalin të jenë 88 mijë e 142 euro në edicionin e kaluar.
Për organizatorët e Festivalit të dhënat janë treguese që nxisin vullnet.
“Sendi kryesor për ne ndoshta është se për një kohë të shkurtër pas pandemisë është bërë njëfarë rikthimi i statistikave, numrave e treguesve. Realisht ndoshta nuk kemi pritur që kaq shpejt kjo të jetë e mundur”, ka thënë drejtori artistik i “DokuFest” Veton Nurkollari. Para pandemisë Festivali ishte në shifra afërsisht te ky ndikim. Më 205 ndikimi direkt në ekonomi ishte llogaritur 4.7 milionë euro.
Nurkollari ka thënë se numrat për edicionin e vitit të kaluar i kanë parë në realitet, por tash është vërtetuar nga ana neutrale.
“Është vërtetuar rëndësia, pasi numrat nuk janë të vegjël. Janë vërtetuar e parë ato që kemi parë. Ne nuk kemi mekanizëm, andaj ky hulumtim neutral e ka vërtetuar atë që e themi. Kjo sidomos për qytetin e Prizrenit është me rendësi. Është një diçka që për një kohë të shkurtër sjell të mira për ekonomi, për turizmin kulturor jo veç të Prizrenit, por edhe të Kosovës”, ka thënë ai. Sipas Nurkollarit, të dhënat janë indikatore që tregojnë se është e mundur që të bëhet një ngjarje e madhe dhe të promovohet vendi.
“Jemi shumë të gëzuar me numrin e vizitorëve të huaj. Pra në Kosovë mund të vihet, është sigurt dhe interesant të vizitohet ky vend. Ky është një prej indikatorëve të mirë që ka sjellë Raporti”, ka thënë Nurkollari. Ka treguar se shifrat e Raportit i kanë gëzuar si organizatorë dhe njëkohësisht bëhet fjalë për një hulumtim të pavarur.
“Situata me ngjarjet e mëdha dhe festivalet në botë nuk është bash më e mira. Pandemia ka lënë shenjë të madhe dhe pasiguri. Disa prej festivaleve janë në krizë, fondet janë zvogëluar. Krejt kjo po na bën me u gëzu që Kosova është vend i sigurt për ngjarje të tilla.”, ka thënë ai. Ka treguar se u ngelet ta shfrytëzojnë momentumin që e ka krijuar Raporti dhe bazuar në këto të dhëna të reflektojnë edhe në strategjinë e 5-vjeçare të “DokuFestit”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.