Djali i Sllobodan Millosheviqit shfaqet në publik pas 20 vitesh, i kërkuari nga Interpoli u pa në Moskë

Djali i ish-presidentit të Serbisë dhe ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, Marko Millosheviq, është shfaqur pas gati 20 vitesh në publik.

Dhe sipas mediave serbe, këtë herë, Marko Millosheviq u filmua në zbulimin e bustit të babait të tij në Moskë.

Siç theksojnë mediat në Serbi, shumë njerëz as nuk e njohën Markon, ndërsa të tjerë shprehen se ai me kalimin e viteve gjithnjë e më shumë i ngjan Sllobodan Millosheviqit.

Ndërkohë monumenti i Millosheviqit është paksa i çuditshëm, sepse ai mban një lloj “maske” në dorën e djathtë.

Aty, siç thuhet më tej, Marko Millosheviq është fotografuar me liderin e “Ujqërve të Natës”, Aleksandër Zaldastanov.

Monumenti prej bronzi është krijuar në Serbi, ndërsa dokumentet për transportin e tij janë marrë më parë nga Ministria e Kulturës dhe Doganave të Serbisë.

Po sipas raportimit të mediave serbe, paratë janë mbledhur nga diaspora serbe në Rusi dhe jo vetëm.

Marko Millosheviq mbeti një simbol famëkeq i viteve nëntëdhjetë dhe menjëherë pas 5 tetorit 2000, ai u arratis në Moskë.

Emri i tij u gjet në listën e të kërkuarve të Interpolit, së bashku me emrin e nënës së tij Mirjana Markoviq.

Të dyve iu dha azil në Rusi dhe Mirjana ndërroi jetë në vitin 2019 në moshën 77-vjeçare. /Telegrafi

Share

Go toTop