Sot mbushen dhjetë vjet nga vdekja e ish-kryetarit të tretë të Partisë së Prosperitetit Demokratik, Abdyrahman Aliti.
Ai në krye të PPD-së erdhi pas Nevzat Halilit dhe Xheladin Muratit në vitin 1994 dhe e udhëhoqi partinë për pesë vitet e ardhshme(1999).
Pas largimit të tij, PPD-ja shënon rënie të vazhdueshme në rrethana të reja, dhe pas shumë përpjekesh për t’u ngritur, shuhet në vitin 2017.
Aliti ka lindur në fshatin Zhelinë të Tetovës në vitin 1945. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Shkup në vitin 1969.
Në biografinë e pasur politike të tij ka mbetur e shënuar se ka punuar shumë vite në Kuvendin e Komunës së Tetovës (1969 – 1988).
Në vitet e diferencimeve ideologjike, si kryetar i Komisionit për Shëndetësi dhe Politikë Sociale, qe shkarkuar nga puna për shkak të angazhimeve të tij për të drejta më të mëdha politike të shqiptarëve në RSM.
Në vitet e pluralizmit, në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1991 zgjedhet deputet i PPD-së, ndërkaq ishte lider i i saj në kohën kur ishte partia udhëheqëse e shqiptarëve në Maqedoni.
Si deputet i PPD-së nga zgjedhjet e dyta parlamentare (1994), së bashku me Tito Petkovskin nga LSDM dhe Kiro Popovskin nga PS, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit.
Nga viti 2005 deri në vitin 2008 ka qenë ambasador i Maqedonisë në Bullgari.
Vdiq më 27 qershor 2013.