Dëshpërimi i grave afgane nga mbyllja e salloneve të bukurisë

Shirini e kishte caktuar terminin e saj të nusërisë javë më parë, por në vend që të çlodhej teksa estetistet e bënin gati në një sallon bukurie në Kabul, atmosfera ishte e tensionuar pasi të gjithë qëndruan në gatishmëri të lartë, të përgatitur për të fshehur nusen nëse policia do të shfaqej.

Shirini ishte klientja i fundit në një sallon në kryeqytetin e Afganistanit, një nga mijëra sallonet e mbyllura në të gjithë vendin të martën me urdhër të autoriteteve talibane.

“Kam dikë që bën rojë jashtë në rast se talibanët vijnë. Nëse ndodh diçka, ne do ta vendosim atë [nusen] në banjë ose dhomën e magazinimit dhe do të dukemi të zëna duke u paketuar”, tha pronarja e sallonit, Aziza.

“Edhe nëse më fusin në burg, unë do t’ia bëj grimin sepse i kam premtuar”.
Derisa disa nga estetistet merreshin me Shirinin, të tjerat ishin të zëna duke e paketuar e sallonin.

Ashtu si dhjetëra mijëra kolege të tyre, këto punonjëse e gjetën veten të larguara nga një nga fushat e pakta të punës që kishin mbetur të arritshme për gratë nën qeverinë talibane.

Ndalimi i salloneve të bukurisë përfaqëson një humbje të madhe për gratë e këtij vendi, duke ndikuar jo vetëm në pavarësinë financiare të tyre, pasi pronaret dhe punëtoret e salloneve shpesh kontribuonin në të ardhurat e vetme për familjet e tyre, por edhe ndërveprimet dhe jetën e tyre sociale.

“Na u thye zemra kur dëgjuam se sallonet po mbylleshin, sepse ato ishin vende ku jo vetëm kujdeseshim për pamjen tonë, por mund të shihnim miq dhe të krijonim miqësi të reja, të bisedonim dhe të lehtësonim dhimbjet tona”, tha 21-vjeçarja Bahara, një kliente në një sallon në Kabul.

“Gratë nuk lejohen të hyjnë në vende argëtimi, pra çfarë mund të bëjmë? Ku mund të shkojmë të kënaqemi? Ku mund të mblidhemi për t’u takuar?”, tha ajo.
Që nga kthimi i tyre në pushtet në gusht të vitit 2021, autoritetet talibane kanë zbatuar një sërë masash kufizuese ndaj vajzave dhe grave.

Atyre u është ndaluar që të ndjekin shkollën e mesme dhe universitetin, i kanë ndaluar të vizitojnë parqe, panaire argëtimi dhe palestra dhe i kanë urdhëruar që të mbulohen në publik.

Për më tepër, gratë janë përballur me pengesa të mëdha edhe në jetën e tyre profesionale. Shumë prej tyre janë penguar të punojnë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) ose për organizata joqeveritare, dhe një numër i konsiderueshëm kanë humbur punën e tyre në qeveri ose u janë ofruar stimuj financiarë për të qëndruar në shtëpi në vend që të ndjekin karrierën.

Të gjitha dyert janë mbyllur.
Një vit më parë, Kamela filloi punën në një sallon bukurie pasi humbi punën e mëparshme në media dhe iu desh të ndërpriste shkollimin.

Si mbajtësja e vetme e familjes e saj pesë anëtarëshe, 19-vjeçarja tani është e pasigurt për të ardhmen e saj pa të ardhurat që fiton nga sallonet e bukurisë.

“Mbyllja e salloneve të bukurisë do të thotë se të gjitha dyert janë të mbyllura për mua, që do të thotë se nuk mund të punoj dhe të jetoj si grua në Afganistan”, tha ajo për agjencinë e lajmeve AFP këtë javë, teksa gërshetonte flokët e gjatë të zinj të një prej klienteve të fundit të sallonit.

“Ndoshta nesër talibanët do të thonë se grave nuk u lejohet të marrin frymë”.

Manizha, 28 vjeçe, investoi kohë dhe para për të krijuar sallonin e saj që nga viti 2018.

Ajo trajnoi rreth 200 gra, duke i fuqizuar dhe aftësuar ato për të punuar në këtë industri.

Tani 25 punonjëset e saj aktuale, të gjitha sigurueset kryesore të të ardhurave në familjet e tyre, janë kthyer në pikën zero, dhe Manizhas i duhet të shikojë se si përpjekjet e saj shkuan dëm.

“Kam punuar kaq shumë, dhe tani arritjet e mia nuk do të thonë asgjë”, tha ajo. “Unë qëndrova në vend dhe i pagova taksat qeverisë dhe tani ata po mbyllin sallonin tonë të bukurisë. Është vërtet dëshpëruese; ky vendim i ka dhënë një goditje masive ekonomisë së vendit, dhe neve”.

Në ditët e fundit para se urdhri për mbylljen e salloneve të hyjë në fuqi, gratë nxituan në sallone për të lyer flokët dhe për të rregulluar vetullat, duke e parë si mundësinë e tyre të fundit për të bërë diçka për veten.

Ministria për Promovimin e Virtytit tha se shpenzimet e tepërta të grave që i bëjnë në sallone shkaktuan vështirësi për familjet e varfra dhe se disa trajtime bukurie, si zgjatimi i qerpikëve dhe thurja e flokëve, konsiderohen jo në përputhje me fenë islame.

Megjithatë, estetistja Najla beson se puna e saj ishte një mënyrë fisnike dhe etike për të siguruar jetesën.

“Unë po bëja punë të mira, duke fituar pak për të mbajtur familjen time. Çfarë do të bëj tani?”, tha Najla, e cila është jetime dhe kujdeset për vëllezërit e motrat e saj.

“Çfarë duan në të vërtetë nga ne? Ata kanë mbyllur të gjitha vendet për gratë. Ndoshta një ditë ata do të thonë vetëm ‘sa herë të lindë një vajzë, varrose të gjallë’”./REL

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.