Incidenti i papritur në koncertin e Bebe Rexhës ku u godit me telefon në fytyrë bëri bujë kudo në mediat ndërkombëtare dhe ato vendore.
Sulmuesi u arrestua nga policia ndërsa së fundmi u zbulua edhe deklarata e tij e dhënë në polici.
“Po përpiqesha të shihja nëse mund ta godisja me telefon në fund të shfaqjes, sepse do të ishte qesharake,” tha Nicolas Malvagna në dëshminë e tij, duke lënë të habitur hetuesit e çështjes.
27-vjeçari u arrestua dhe u akuzua për sulm dhe ngacmim të rëndë.
Bebe Rexha, ishte në skenë duke përfunduar koncertin e saj në Rooftop në Pier 17 kur ai dyshohet se hodhi telefonin drejt saj. Goditja e fortë e la kantautoren të gjakosur dhe me sy të nxirë.
Ajo u largua me shpejtësi nga skena dhe u dërgua në një spital, ku mori qepi pjesën e çarë të syrit.