Dauti: Presionet ndaj Kurtit, faturë e vonuar për “punën e shkuar”!

July 5, 2023

– Gjërat e bukura, por të parealizueshme të Kurtit, e kanë çuar Kosovën në grackë! Edhe Don Kishoti i gjorë gjithë kohën mendonte të bënte mirë, por gjithçka i dilte mbrapsht! Duke penguar qeveritë e mëparshme, të gjitha problemet ia la vetes dhe tash duhet t’u dale në krye!

Shkup, 5 korrik/indeks.mk-Me mbititull “Hijet e së kaluarës, në udhëkryqin e së ardhmes”, dhe me titullin “RRUGA E TRETË” ËSHTË RRUGA E ALBINIT, E VETË-VENDOSJES!”, analisti Daut Dauti e nis shkrimin e tij të gjatë në numrin e sapo dalë të revistës Shenja.

“Nëse Albin Kurti në këtë moment bie ndesh me interesat amerikane, sigurisht se nuk do të rreshtohet me interesat ruse, këtë mund ta bëjnë vetëm naivët. Mënyra e vetme që i mbetet është që të provojë “rrugën e vet”, atë që mban emri i partitë, që Kosova të VENDOSË VETË për gjithçka, edhe për Veriun, edhe për Asociacionin, edhe për njohjet e reja, edhe për pranimin në OKB e BE apo NATO”, shkruan midis tjerash Dauti.

Autori,siç transmeton indeks.mk, bën një rekapitullim të karrierës politike të Albin Kurtit, me tezën e vetmashtrimit me gjërat e bukura, por të parealizueshme që e kanë çuar Kosovën në grackë!

“Nuk kam zbuluar Amerikën në shkrimet e mëhershme, kur i kam vënë në dukje disa gjëra që s’më kanë pëlqyer. Bie fjala, si të përkrahësh dikë, edhe kur ka qëllime të mira, kur veprimtarë të LVV-së kanë gjuajtur institucionet kosovare si të ishin serbe?! Ka pasur vërejtje serioze që i përkasin vizionit apo strategjisë politike për të realizuar jo objektivat e një individi ose një subjekti, por ato të shtetit të Kosovës. Duket se këtu diku ka pasur prej fillimit një shpërputhje, sepse gjersa Albini dalëngadalë është ngritur në idetë e tij të plasuara si interes i Kosovës, ato në të vërtetë janë dëshmuar si e kundërta. Jo se qëllimet kanë qenë të këqija, po pse gjërat e bukura nuk janë përherë lehtësisht të realizueshme, dhe jo përherë ashtu siç i mendojmë ne, mund të dalin ashtu. Edhe Don Kishoti i gjorë gjithë kohën mendonte të bënte mirë, por gjithçka i dilte mbrapsht! “, ka shkruar Dauti.

“Pikërisht në ëndrrat e bukura Albin Kurti e gëzon sot mandatin, me pothuajse përkrahje plebishitare, nënvizon Dauti, që sipas tij, e ka fituar në kritikat politikave “të gabuara” të pararendësve dhe ideve joshëse.

“ Qytetarët kanë menduar se është mbushur kupa dhe duhet të provohet diçka e re. Duket se këtu është kauza e vetme realiste e Albinit, së cilës i është përmbajtur edhe pas marrjes së pushtetit, sepse Kosova në luftën kundër korrupsionit dallohet prej shumë vendeve të ngjashme… Përjashtuar ndoshta nepotizmin, për të cilën i kritikonte qeveritë tjera, e që s’i duket, s’ia ka gjetur as ai ilaçin, ose më saktë, as ai nuk u tregua tepër imun…!”, thekson autori.

Mirëpo, të përqendrosh gjithë suksesin në një çështje “universale” e anomalive të tranzicionit, ndërkohë që Kosova ka çështje tjera, nuk mund të kompensojë kauzat prioritare. Dauti shprehet i bindur se nuk ka qenë gjithnjë te populizmi, por te besimi i vetë Albinit se ai mund të bënte më mirë dhe më ndryshe nga pararendësit tjerë në të mirë të Kosovës.

Duke shkruar për qëndrimin e BE-së dhe SHBA-ve ndaj Albin Kurtit pas ngjarjeve në Veri të Kosovës është faturë e vonuar për “punën e shkuar”! Sepse, nëse kjo çështja aq problematike që po e prolongon Kurti, Asociaacioni, e ka mbi tavolinë si një lak për varje politike, ajo s’është asgjë tjetër pos një “dënim prej qielli” për vonesën e ofrimit të zgjidhjes. Albin Kurti u ka bërë presion qeverive të mëparshme për të mos u bërë fare dhe ia ka arritur që të vehet ad acta për një kohë, në vend se t’i hyhet asaj për ta modeluar vetë Kosova në bazë të Marrëveshjes së 2015-ës, ku edhe pala serbe është pajtuar për të qenë në kuadër të Kushtetutës. Siç e dimë, Gjykata Kushtetuese shumë vite më parë ka marrë qëndrim dhe po ta bënte Kosova, po t’i lente Albini qeverive të mëparshme ta bënin të paktën statutin, sot do të ishte një marrëveshje e përmbushur dhe presioni do të ishte mbi Serbinë…Për fat të keq, tash Albin Kurti, pasi me vite pengoi të tjerët, “ia la” vetes problemin e pazgjidhur, të cilin siç shihet nuk mund ta zhbëjë siç kishte premtuar, po as ta zgjidhë bash sipas interesave të Kosovës. Dauti i jep të drejtë tezës së ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani kur thotë se sa më shumë të shtyhet rezistenca ndaj formimit të Asociacionit, Kosova aq më shumë i afrohet idesë serbe për Asociacionin si autonomi politike-territoriale, si Republika Sërpska ose si bashkësi politike e serbëve lokalë, që del prej rendit kushtetues të Kosovës.

Me gjithë vërejtjet e shumta në adresë të Albin Kurtit, Dauti konsideron se në këtë situatë, “rruga e tretë” është pikërisht kjo që po e ecë Albin Kurti. Obstruksion si opozitar ndaj të gjitha qeverive, tash i lënë vetëm me të gjitha problemet që i kanë mbetur prej tyre. Sepse, përderisa ai nuk përkrahte as Pako të Ahtisarit, as marrëveshjet ndërkombëtare, tash partitë opozitare ia kanë lënë të gjitha punët vetë Albin Kurtit t’i zgjidhë në mënyrën e vet. Sipas tij, është naive përpjekja e Ramush Haradinajt në vlugun e menaxhimit të situatës në Veri të Kosovës, të kërkojë ndërrimin e Albin Kurtit nga pushteti, sepse në këtë mënyrë Kosovës ia merr atë opcion politik që e ka përkrahur.

“…Nëse Albin Kurti në këtë moment bie ndesh me interesat amerikane, sigurisht se nuk do të rreshtohet me interesat ruse, këtë mund ta bëjnë vetëm naivët. Mënyra e vetme që i mbetet është që të provojë “rrugën e vet”, atë që mban emri i partitë, që Kosova të VENDOSË VETË për gjithçka, edhe për Veriun, edhe për Asociacionin, edhe për njohjet e reja, edhe për pranimin në OKB e BE apo NATO…pa le të dalë ku të dalë! Nëse të gjitha këto Kosova mund t’i arrijë me forcat e veta, pa aleatët strategjikë, do të duhej në Prishtinë t’i ngrihet Kryeministrit të Kosovës një bust dhjetëfish më i madh se ai i “imperialistit” Klinton.”,përfundon D.Dauti shkrimin e tij në revistën Shenja.

Previous Story

Propozimi i KE-së për ndihmë makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut në seancë të KOREPER-it

Next Story

Bekteshi i përgjigjet Mickoskit: është i mirëseardhur në zyren e Shkumbin Ahmetit si arkitekt privat

Latest from Blog

Go toTop