Dauti me këshilla për përkthyesit e administratës: Kujdes me Google Translate-in!

Shkup, 6 nëntor/indeks.mk

-Në një kolumnë në gazetën “Koha”, publicisti dhe shkrimtari Daut Dauti ka shkruar për fenomenin e Google Transate-it dhe gabimet që bëjnë mediat kur u besojnë në mënyrë absolute përkthimeve të kësaj vegle elektronike.

Si shembull ai e kishte marrë një lajm agjencie, ku Google Translate kushedi se në ç’mënyrë emrin e Maqedonisë e kishte zëvendësuar me Moldavinë:

“1 nëntori ( e mërkurë) është ditë jo pune për qytetarët e besimit katolik në Maqedoni. MPPS njofton se nesër shënohet Festa e të gjithë shenjtorëve. “Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njofton se në përputhje me Ligjin për Festat e Republikës së Moldavisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Moldavisë” nr. 21/98 dhe 18/07), 1 nëntor 2023 (e mërkurë), Dita e të Gjithë Shenjtorëve është ditë jo pune për qytetarët e besimit katolik në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e MPPS-së”.

“ Ç’lidhje ka një festë shtetërore në bazë të një ligji botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Moldavisë, e të vlejë për katolikët e Maqedonisë!? Po të ishte kështu, lajmin do të duhej ta jepte ambasada e jo ministria jonë. Sepse një situatë e tillë e supozuar është çështje “ekstraterritorialiteti”?-shtroi pyetjen Dauti, i cili në vazhdim bën një “skenar” të mundshëm se si ka mundur të ndodhë lapsusi I zëvendësimit të emrit të Maqedonisë me Moldavinë, dhe fajin e gjen te pakujdesia e faktorit njeri, i cili nuk e ka vërejtur përkthimin që ka dale pikërisht nga Google-i.
Dauti, siç transmeton indeks.mk, duke mos e stërmadhuar një lapsus të bërë në media, problemin e hedh në fushën e përdorimit të gjuhës shqipe në administrate, ku lipset përgjegjësi më e madhe.

“Nëse prej këtij gabimi nuk ka zarar askush, pos që ta konstatojmë se “ndodhin këso gjërash”, është çështja më e thellë, ajo e përdorimit të gjuhës shqipe në administratë, ku ka qindra ligje e dokumente që duhet përkthyer dhe që duhet të jenë të sakta. GoogleTranslate-i është një mjet elektronik që të ndihmon shumë, por i cili ndonjëherë gulfat kreativitetin e përkthyesit dhe për të qenë edhe më keq, i pasivizion ata, të cilët në dinamikën e punës, nuk përqendrohen sa duhet për ta lexuar tekstin edhe një herë apo më shumë herë, sipas nevojës, dhe mund t’u përvidhen “gabime materiale”, që ia ndërrojnë krejtësisht kuptimin e origjinalit. Paramendoni nëse e futni në Google një shprehje si kjo: “Ja остави косата на страна за да се одмори“ të ju dale përkthimi siç e provova unë: “lërini flokët mënjanë për të pushuar”. E fjala ishte për “kosën” që kosit barin, e jo për flokët!”

Pikërisht kujdesin ndaj përkthimeve të bëra me Google Translate, Dauti ua sugjeron përkthyesve të administrates.

“Sivjet në pranverë pata rast të flas para një grupi të përkthyesve të posa pranuar në administratë dhe pikërisht këtë ua sugjerova nga përvoja: përdorni GoogleTranslate-in, por lexojeni pastaj tekstin me kujdes. Ai u ndihmon për të kryer punën sa më shpejtë, por është gabim nëse i besoni në mënyrë absolute. Sepse teknika është teknikë, nuk i kapë gjithë finesat që i kap njeriu.”
Mirë është që Agjencia e Zbatimit të Gjuhës ka qe dy vjet që po i trajnon përkthyesit dhe lektorët e administratës, por kjo nuk mjafton që cilësia e përkthimit të rritet me vetëm disa orë e disa ditë ligjërata, shkruan më tutje autori.

” Duhet në vetë institucionet ku punojnë të kenë mbikëqyrje profesionale(lektorë me përvojë), të cilët edhe do t’i udhëzonin, por dhe do ta kenë nën kontroll çdo tekst për nevoja zyrtare.”, sugjeron ai.

Sipas Dautit, kujdesi ndaj gjuhës duhet të fillojë shumë më herët, që në shkollë, sepse pjesa e përgjegjësisë u bie para së gjithash mësuesve që në vitet e para të shkollimit për t’i orientuar drejtë dhe për t’ua mbjellë në zemër e tru nxënësve përkushtimin ndaj gjuhës.

“Në kohën që po e jetojmë, sfidat për gjuhën janë më të mëdha për shkak të ndikimit të anglishtes, e cila te fëmijët e gjeneratave të reja, po ia merr shqipes amtare primatin gjuhës së parë! Ndikimi nga anglishtja, përkthimet nga maqedonishtja, përdorimi i GoogleTranslate-it dhe shkujdesja ose më saktë, kryerja e punës shkel ‘e shko, përbëjnë një sfidë për cilësinë e gjuhës shqipe, si të shkruar, ashtu dhe të folur.”, përfundon Dauti tekstin e tij kushtuar përdormit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.