Pas vdekjes së vajzës së saj katërvjeçare, një 25-vjeçare është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me mosveprim, shkruan dpa.de. Gjykata e Landit në Verden (Saksonia e Ulët) e ka konstatuar të hënën si të provuar faktin se e akuzuara ka vepruar nga lakmia.
Kosovarja, e lindur në Gjermani, e ka trajtuar fëmijën “krejtësisht në mënyrë joadekuate”, duke e lyer me pomadë dhe fasha. Edhe pasi nëna e tre fëmijëve e kishte kuptuar se katërvjeçarja po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ajo “e kishte lënë atë në fatin e saj” dhe më në fund ka pranuar edhe mundësinë për vdekjen e saj.
Vajza ka vdekur dymbëdhjetë ditë pas përvëlimit. Në atë kohë, një e treta e lëkurës ishte e nxirë, ka thënë kryetari i trupit gjykues. Fëmija ka vuajtur në mënyrë “të pabesueshme”.
Gjatë gjykimit, e pandehura ka thënë se e ka kuptuar shumë vonë që uji ishte shumë i nxehtë. Gjithashtu ajo ka pretenduar se plagët janë shkaktuar nga vetë vajza. Gjykata nuk e beson këtë pretendim, sepse ashpërsia e plagëve duhet ta ketë bërë të qartë se çfarë mundimi ka pësuar fëmija.