Gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike Destan Jonuzi, thotë se “i ashtuquajturi “bllok opozitar” nuk ka për synim ndonjë objektiv të madh programor”, por siç thotë ai, “vetëm të shpëtoi karriera politike të disa individëve dhe grupeve të interesit”. Jonuzi në një prononcim për KDP.MK, thotë se nga ky format opozitar, përveç argumenteve se duan të dërgojnë BDI-në në opozitë, nuk kemi dëgjuar edhe diçka konkrete.
“Përveç argumentit se duan të dërgojnë BDI-në në opozitë, nuk kemi dëgjuar diçka konkrete nga ky grup, cila është alternativa e tyre ndaj BDI-së që duan me ngulmë të rrëzojnë. BDI angazhohet fuqishëm për ndryshimet kushtetuese, dhe me këtë edhe për fillimin e negociatave me BE-në. Cila është alternativa që ofron blloku opozitar? BDI angazhohet për veting, cila është alternativa e bllokut opozitar? Thonë se BDI nuk qeverisë mirë, por nuk na tregojnë se si ato do e bëjnë më mirë? Nëse futesh në një betejë politike për të bërë më shumë se dikush, në këtë rast se BDI duhet të tregosh se cilat janë politikat dhe projektet. Në rastin konkret nuk ka asgjë nga konkretja. Pra nga këtu jam skeptikë se mund të ketë ndonjë sukses ky grupim politik”, thekson Jonuzi.
Ai mes tjerash shton se brenda këtij fronti opozitar, pakënaqësitë sapo kanë filluar të shfaqen.
“Blerim Bexheti, Nevzat Bejta, Musa Xhaferi, Arijanit Hoxha, Valon Bela… Po e njëjta sitiuatë e pret edhe Alternativën. Deputeti Skender Rexhepi publikisht ka shprehur mospajtimet e tij, ndërsa edhe degë të caktuar refuzojnë :bllokun” e Afrim Gashit Me Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin. Me gjithë këtë polarizim politik, rezultati do të jetë dëshprues për “rebelët” të cilët nuk e dëgjojnë “babën”. Madje disa prej tyre, e kanë mirë të njohur proverbën se “djali para babës nuk del”, thotë Jonuzi.
Ky është tentimi i tretë me radhë i unifikimit të opozitës shqiptare në prag të zgjedhjeve parlamentare, që kanë të njëjtin qëllim – të dërgojnë BDI-në në opozitë. I pari ishte në vitin 2011, kur PDSH dhe RDK tentuan të bëhen bashkë me qëllim të fitores në zgjedhje. Tentimi i dytë erdhi në vitin 2016, kur Ziadin Sela i LR-PDSH-së, Vesel Memedi i RDK-së dhe Gëzim Ostreni i UNITETI-t u bënë bashkë për të fituar zgjedhjet parlamentare. A do të jetë kjo ngjeshje e opozitës “e treta, e vërteta”, do të tregojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të parapara të mbahen në shtator të vitit 2024.