Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se administrata amerikane po punon për të verifikuar raportimet se në mesin e personave që po mbahen peng nga grupi palestinez Hamas në Gaza ka edhe amerikanë, transmeton Anadolu.
“Ne kemi raportime se disa amerikanë janë në mesin e të vdekurve. Ne jemi duke punuar shumë aktivisht për të verifikuar ato raportime”, tha Blinken për programin e djeshëm “Face the Nation” të CBS News.
“Në të njëjtën kohë, raportimet që amerikanë janë marrë peng, edhe për këtë ne po punojmë për të verifikuar faktet për të zbuluar nëse ato raportime janë të sakta”, shtoi ai.
Ambasadori i Izraelit në SHBA, Michael Herzog, tha dje se në mesin e pengjeve që mbaheshin nga Hamasi në Gaza kishte edhe amerikanë, duke shtuar se nuk ka më shumë detaje.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së konfirmoi gjithashtu se disa amerikanë ishin vrarë gjatë sulmit të Hamasit në qytetet izraelite pranë Gazës.
“Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër dhe mbetemi në kontakt me partnerët tanë izraelitë, veçanërisht autoritetet lokale”, tha një zëdhënës i këshillit.
Dje, Hamasi dhe grupi palestinez Xhihadi Islamik thanë se po mbajnë më shumë se 130 izraelitë.
Të shtunën, Hamasi filloi sulmin e tij më të madh ndaj Izraelit në dekada, duke lëshuar mijëra raketa dhe duke dërguar luftëtarë që depërtuan në qytetet izraelite pranë Gazës. Grupi tha se sulmi i tij ishte në përgjigje të shkeljeve izraelite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve.