Detaje të reja janë publikuar në mediat greke në lidhje me arrestimin e 55-vjeçarit shqiptar në Athinë, të akuzuar për trafikim të miturish. Për të njëjtën akuzë shqiptari ishte dënuar edhe në Shqipëri me 15 vjet burg.
Mediat greke raportojnë se shqiptari Kujtim Demiri, kishte blerë një fëmijë 8 vjeç nga një familje e varfër në Tiranë, vetëm për 100 mijë lekë, një shumë që i korrespondon afërsisht 900 eurove.
Më pas në mënyrë të paligjshme ai e kishte futur të miturin në Athinë dhe e ka detyruar të lyp në pjesët qendrore të kryeqytetit e më pas ti dorëzonte paratë.
Ndër të tjera mësohet se 55-vjeçari ka ushtruar dhe dhunë fizike ndaj tij. Ndërkohë arrestimi i tij është bërë dy ditë ma parë nga policia menjëherë pasi pas marrjes së informacionit nga Interpol Tirana u konstatua se ai ndodhej në Athinë.
Tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e të arrestuarit në vendin e tij. Megjithatë, për autoritetet greke mbetet e panjohur se çfarë ka ndodhur me fëmijën 8-vjeçar./Gazeta Express