Kush ka kohë për të humbur me “bëmat” e Big-Brother VIP Albania-s, orë e çast mund të pyesë veten si është e mundur? Si është e mundur që “për lojë”, siç është bërë shprehja bajate, të hapen debate koti dhe që zgjasin jo vetëm gjatë ditëve e netëve në shtëpinë “më të famshme”, por dhe të krijojnë dramaticitet fals në “prime-t” që zgjasin katër pesë orë. Më shumë se një gjysmë dite pune, për çka se?!
Në prime-n e mbrëmshëm, por dhe në atë të së shtunës së kaluar, një nga çështjet me të cilat “e forcoi” lojën e tij Luizi, ishte kur i tha Nita Latifit se e ka kursyer për shkak të sëmundjes së saj! Dmth.nga mëshira! Të njëjtën gjë, në prime-in e së martës, ia përmendi edhe e dashura e tij në këtë Big Brother, Kiara Tito!
Krejt do të ishte “në kuadër të lojës”, sikur të ishte e vërtetë që këngëtarja kosovare, Nita Latifi, për këto më shumë se 100 ditë ta kishte përmendur vazhdimisht sëmundjen e saj(kancerin e gjirit), por ajo këtë e ka bërë publike fare në fillim dhe atë, siç përmendi opinionistja e shout, Zhaklinë Lekatari, me qëllim të problematizimit të kësaj për publikun e gjerë për këtë kategori femrash që përballen me këtë sëmundje.
Ajo që duhet të thuhet në këtë “debat koti” midis çiftit Kiara-Luiz me Nitën, është demagogjia e tyre, për shkak se ka qenë pikërisht Luizi ai i cili e pat “viktimizuar” vetveten me një manipulim të pashembullt kur i pat rrëfyer në fillim Kiarës për gjoja sëmundjen e kancerit “që e ka kaluar” e që i janë shfaqur sërish “të njëjtat simptome”, për të kaluar pastaj në farsën e radhës, se e ka pas për një shok të tij, ndonëse publiku fare mirë e kishte të qartë se çka rrëfeu.
Ja, pikërisht ky çift, me Luiz Ejllin në krye, është më i preferuari i shoqërisë shqiptare: me gënjeshtra, intriga, bullizime…për të qenë më i votuar dhe kandidati nr.1 për të fituar gjithë ato para!
Ku shkon kjo shoqëri, është një pyetje për psikoanalizë kolektive! /Indeks.mk