Besimi u takua me anëtarët e Këshillit Fiskal, pas seancës konstituive të këtij organi të ri të pavarur

Këshilli Fiskal, përkatësisht organi i pavarur që do të mbikëqyrë politikat makroekonomike dhe fiskale në vend bëhet funksional. Themelimi i Këshillit Fiskal ka për qëllim përforcimin e sistemit dhe është pjesë e reformës së gjerë të politikave të mirëfillta dhe të qëndrueshme buxhetore dhe makroekonomike, theksoi sot ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili u takua me anëtarët e Këshillit, pas mbajtjes së seancës konstituive në të cilën u përcaktuan parimet dhe udhëzimet e veprimit dhe punës së këtij organi ku njëzëri kryetar u zgjodh prof. Gligor Bishev.

Krijimi i Këshillit Fiskal ështe paraparë me Ligjin e Buxheteve, përbëhet nga anëtarët e pavarur të propozuar nga Banka Popullore, ASHAM-i dhe Enti Shtetëror i Revizionit, ndërsa përzgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Anëtarët e përbërjes së parë të Këshillit Fiskal janë: akademiku Abdylmenaf Bexheti, i propozuar nga ASHAM-i, Marina Tërpeska, profesoreshë ordinare në Fakultetin Ekonomik pranë UKM-it, e propozuar nga Enti Shtetëror i Revizionit, si dhe Gligor Bishev, i propozuar nga Banka Popullore. Në këtë takim, në Ministrinë e Financave, të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Financave, Filip Nikollovski dhe sekretarja shtetërore e MF-së, Jelena Tast.

Në këtë takim u konstatua nevoja e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të materialeve dhe informacioneve, shkëmbimit të dokumenteve, për funksionalizimin dhe përmbushjen e rolit të organit. Në këtë drejtim, së shpejti do të mbahet edhe takim ku në fokus do të jetë përgatitja e Buxhetit për vitin 2024.

Këshilli Fiskal është pjesë e reformës së madhe në financat publike, ku organi i pavarur do ta monitorojë arritjen e targeteve, do ta vlerësojë pozitën makroekonomike dhe politikat që zbatohen. Megjithatë, ai është një segment i rëndësishëm i krijimit të sistemit të ri dhe më të avancuar të financave publike, ndërkohë që reformat parashohin rregulla fiskale, sistem të integruar të financave publike, vlerësim të rezultateve dhe një sërë reformash të tjera që do ta përforcojnë strukturën dhe do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë fiskale”, theksoi ministri i Financave, Besimi dhe shtoi se roli i Këshillit Fiskal është sigurimi i vlerësimit gjithëpërfshirës të riskut fiskal nëpërmjet informacioneve lidhur me cënimet e mundshme ndaj pozicionit fiskal të vendit, si dhe sigurimi i qasjes së integruar në menaxhimin e këtyre risqeve. Analiza e riskut fiskal do të kontribuojë në mirëkuptimin e pozicionit të financave publike dhe në këtë mënyrë do të sigurohet përkrahje për zhvillimin e politikave fiskale prudente, si dhe do të përforcohet llogaridhënia lidhur me menaxhimin e riskut.

Këshilli Fiskal, në përputhje me ligjin, në bazë profesionale, objektive dhe të pavarur do të përgatisë mendime dhe analiza për udhëzimet fiskale dhe makroekonomike për realizimin e buxhetit të shtetit dhe strategjinë fiskale, ndryshimet dhe plotësimet e buxhetit të shtetit, raportin gjysmëvjetor për realizimin e buxhetit, llogarinë përfundimtare për realizimin e buxhetit, llogarinë përfundimtare të buxhetit dhe dokumentacionin tjetër të parashtruar para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ose të publikuar në përputhje me këtë ligj etj.

Reformat në financat publike kanë për qëllim planifikimin afatgjatë dhe cilësor të programeve buxhetore dhe buxheteve, qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë në zbatimin e politikave, modelin më korrekt në aspektin e të hyrave, shpenzimeve dhe mënyrës së financimit, monitorimit dhe matjes së rezultateve. Reformat në financat publike janë të nevojshme për rritjen e përshpejtuar ekonomike dhe ato konfirmohen në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare, ndërsa Agjencia “Fitch” në raportin përfundimtar konstaton se Qeveria vazhdon përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe thekson formimin e Këshillit Fiskal.

Në këtë takim, të dyja palët theksuan përcaktimin e tyre për investimin e njohurive dhe kapaciteteve të tyre në drejtim të përmbushjes së kësaj axhende reformuese dhe arritjes së normave më të larta të rritjes dhe prosperitetit.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.