Beogradi mbushet me grafite kërcënuese “Ushtria serbe të shkojë në Kosovë”

Grafite të reja “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” u shfaqën në fund të korrikut në disa lokacione në Beograd. Nën këtë mesazh është vizatuar flamuri i Serbisë.

Një pankartë me të njëjtin mesazh është shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit “Crvena Zvezda”, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian “Fiorentina” më 26 korrik në Beograd.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar këtë ngjarje si thirrje për dhunë, ndërsa ka munguar reagimi i Beogradit zyrtar.

Grafitet në qendër të qytetit

Përpos që mesazhi “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është ekspozuar në stadium para mijëra njerëzve, ai është shkruar edhe në disa vende të frekuentuara në qendër të kryeqytetit serb.

Duke kaluar pranë njërit prej atyre grafiteve, Uroshi nga Beogradi i tha Radio Evropa e Lirë (në gjuhën serbe) se është një mesazh i shëmtuar dhe se diçka shumë më e mirë mund të pikturohej në mure.

“Nxitëse dhe përkujtim i disa gjërave negative”, tha ai, duke shtuar se nuk i pëlqen që nëpër mure po përhapet propaganda nacionaliste.

Ndërsa, beogradasja Milica Jovanoviq tha se i percepton këto mbishkrime si shëmtim të qytetit. Ajo vlerësoi se dikush e shpreh patriotizmin e tij ashtu siç di.

“Mendoj se mesazhi nuk është në përputhje me atë që është ky qytet. Një qytet i mbushur me turistë, të huaj, nëse do të kthehemi me ushtri apo jo nuk është diçka me të cilën duhet të merremi në rrugë”, tha ajo, transmeton Telegrafi.

Sipas hulumtimit të Institutit për Çështje Evropiane të gushtit 2022, gjysma e të anketuarve (49.9 për qind) besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh, por dialogon me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.

Në mesin e kalimtarëve ishte edhe Rade Grozdaniq, i cili tha se “shkrimi i mesazheve të tilla është utopi e pastër”.

Ai deklaroi se duhej të largohej nga Kroacia në vitin 1995 pas aksionit “Stuhia”, me të cilin Kroacia rifitoi kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj, në të cilin serbët formuan të ashtuquajturën Republikën e Krajinës Serbe.

Kurti reagon ndaj sloganit në Beograd: Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë
Lexo po ashtu
Kurti reagon ndaj sloganit në Beograd: Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë
“Thirrje të tilla dhe politika e tillë nuk mund t’i sjellë askujt mirë”, tha Grozdaniq, duke komentuar grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

“Çfarë kthimi, çfarë Kosove, çfarë ushtrie, mendoj se ka gjëra më të bukura të cilat u interesojnë njerëzve”, u shpreh ai.

“Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është një varg kënduar nga kënga popullore “Elbin e korri vajza kosovare”. Nuk ka një varg të tillë në origjinalin e kësaj kënge.

Një qytetar i Beogradit, i cili është prezantuar si Miodrag, tha se i kupton ata që shkruajnë mesazhe të tilla, por se nuk do t’i shkruante vetë.

“Ka nga ata që e përdorin për ta hutuar popullin, mendoj se e bëjnë të rinjtë. Dikush e fut si temë, nuk mendoj se ata që e shkruajnë janë shumë të lexuar dhe të arsimuar”, tha ai.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.