Bekteshi në MEF2023: Pavarësisht krizës energjetike, ne investojmë në tranzicionin dhe lidhjen energjetike rajonale

Maqedonia e Veriut, ashtu si pjesa tjetër e Evropës, ndjen ndikimin e fortë negativ të luftës në Ukrainë në sektorin energjetik, i cili shkaktoi një rritje të çmimeve të gazit natyror për shkak të ndërprerjes së furnizimit me gaz natyror nga Rusia. Por pavarësisht krizës energjetike, ne punuam shumë për të transformuar sistemin energjetik të vendit, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në panelin “Politikat dhe teknologjitë drejt dekarbonizimit” në forumin vjetor të MEF 2023.

“Vitet e fundit, kemi punuar për reforma për rritjen e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë. Vetëm vitet e fundit kemi instaluar kapacitete nga burimet e rinovueshme të energjisë, nga centralet fotovoltaike prej 110 megavat, që është gati 100% më shumë në krahasim me atë që është bërë që nga pavarësia e vendit. Në bazë të kërkesës nga kompanitë dhe investimeve të kompanisë shtetërore EMV, deri në fund të vitit do të kemi më shumë se 350 megavat kapacitet të instaluar nga centralet fotovoltaike. Me kërkesë të Odave ekonomike, është duke u shqyrtuar opsioni i prodhimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme nga investitorët privat që do të blihet nga kompania shtetërore EMV për të ruajtur potencialin hidro dhe burime të tjera të furnizimit me energji, si termocentralet. Kështu do të jemi gati për dimrin e ardhshëm dhe në periudhën e ardhshme, që është në përputhje me strategjinë tonë të zhvillimit të energjisë”, tha ministri Bekteshi.

Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e varur nga gazi rus, por me mbështetjen e partnerëve tanë SHBA dhe BE, vitin e kaluar shteti arriti të sigurojë kapacitete shtesë në gazsjellësin me Bullgarinë, gjë që diversifikoi furnizimin me gaz për vendin.

“Kemi arritur të çlirojmë një pjesë të kapaciteteve të gazsjellësit të vetëm që kemi me Bullgarinë, i cili është plotësisht i marrë me qira nga Gazprom rus, domethënë kemi arritur të rrisim kapacitetin e gazsjellësit për të diversifikuar furnizimin me gaz për ne, objektet energjetike dhe sigurisht për të ofruar ngrohje për qytetarët. Tani e tutje, ne po fillojmë përgatitjet për dimrin e ardhshëm, të gjitha me synimin për të pasur një pavarësi edhe më të madhe nga gazi rus. Deri në fund të vitit do të fillojë ndërtimi i interkonjektorit me Greqinë, i cili do të na mundësojë të blejmë gaz nga TAP dhe burime të tjera”, tha Bekteshi.

Ministri njoftoi se Maqedonia e Veriut është duke punuar në realizimin e një projekti investues në ndërtimin e një termocentrali me gaz prej 600 deri në 800 megavat, i cili sipas planit fillestar do të ndërtohej në vendin tonë, por në ndërtimin e të cilit të gjitha vendet në rajon do të merrnin pjesë me një pjesë të investimit.

“Plani ynë është që të ftojmë fqinjët tanë që të marrin pjesë në realizimin e këtij projekti energjetik, i cili do të jetë në nivel rajonal. Propozimi ynë është që në vend të TC Negotinë të jetë në Maqedoninë e Veriut dhe si palë të interesuara të marrin pjesë të gjitha vendet që kanë interes për këtë projekt, të cilin planifikojmë ta fillojmë vitin e ardhshëm”, theksoi Bekteshi.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.