BE pret që të gjitha marrëveshjet të zbatohen në mënyrë të përshtatshme e mirëbesim, të pavarur nga njëri-tjetri, ashtu siç kanë rënë dakord në takimin e Ohrit, me 18 mars.
Zoi Muletier, zyrtare për shtyp për Fqinjësi dhe Zgjerim në BE, në një përgjigje dhënë për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se palëve u është paraqitur propozimi për qasje hap pas hapi për t’i ndihmuar t’i zbatojnë obligimet e tyre.
“Në Dialogun Beograd-Prishtinë, BE-ja pret që të gjitha nenet e Marrëveshjes të zbatohen në mënyrë të përshtatshme, në mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri – për të cilën palët ranë dakord në aneksin e zbatimit në Ohër”, tha Zoi.
Sipas saj, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë diçka, për të marrë diçka në këmbim.
“BE-ja si Lehtësuese e Dialogut mes Prishtinës e Beogradit është plotësisht e vetëdijshme për ndjeshmëritë dhe kompleksitetet politike që lidhen me procesin e zbatimit, dhe për këtë arsye ne u kemi paraqitur një propozim palëve për një qasje hap pas hapi në fazën e zbatimit që t’i ndihmojë ata të zbatojnë detyrimet e tyre. Një gjë e tillë ndjek një logjikë të thjeshtë që secila palë duhet të bëjë diçka për të marrë diçka. Kjo është e vetmja mënyrë realiste për t’i bërë gjërat dhe ofron një ekuilibër dhe garanci”, tha zyrtarja e BE-së për Gazetën Online Reporteri.net.
Muletier tha se ndërkohë që diskutimet po vazhdojnë, asnjëra palë nuk duhet të vendos parakusht pasi kështu nuk funksionon zbatimi i Marrëveshjes, pasi një gjë e tillë bie ndesh me atë që ata kanë rëndë dakord në Ohër.
“Kryenegociatorët nuk mundën të arrinin një marrëveshje më 4 prill në Bruksel dhe diskutimet vazhdojnë. Prandaj, liderët pritet të diskutojnë këtë çështje në takimin e nivelit të lartë më 2 maj. Ndërkohë që diskutimet vazhdojnë, asnjëra palë nuk duhet të vendosë ndonjë parakusht pasi nuk mund të funksionojë kështu zbatimi i Marrëveshjes dhe gjithashtu bie ndesh me atë që është rënë dakord”, tha Zoi Muletier, zyrtare për shtyp për Fqinjësi dhe Zgjerim në BE./Reporteri.net/