Asllani e Hoti të bindur në suksesin e Kosovës në të dyja ndeshjet

October 8, 2024

Futbollistët e Kosovës kanë nisur stërvitjet për dy ndeshjet e këtij muaji, por të pranishëm në seancën e parë nuk ishin të gjithë. Nga 24 futbollistët e ftuar, vetëm 12 ushtruan të hënën nën urdhrat e selektorit Franco Foda.

Sulmuesi Fisnik Asllani dhe qendërmbrojtësi Andi Hoti ishin në mesin e tyre.

Asllani dhe Hoti, bashkë me portierët Arijanet Muriq dhe Visar Bekaj, kapitenin Amir Rrahmani, Ilir Krasniqin, Mërgim Vojvodën, Donat Rrudhanin, Elvis Rexhbeçajn, Florent Muslijën, Emir Sahitin dhe Eliot Bujupin, ishin pjesë e stërvitjes së parë. Të tjerët pritet t’i bashkohen ekipit në stërvitje nga dita e martë.

Kosova të shtunën luan në Kaunas ndaj Lituanisë, ndërsa tri ditë më pas e pret Qipron në Prishtinë. Ndeshjet i takojnë Grupit C2 të Ligës së Kombeve.

Asllani, që është i huazuar tek Elversbergu në Bundesliga 2 nga Hoffenheimi, ka thënë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës se është krenar që ka debutuar në ndeshje zyrtare. Asllani debutoi kundër Rumanisë në Prishtinë muajin e kaluar, në humbjen 3:0.

“Më në fund u kthyem sërish te Kombëtarja dhe ndihem shumë krenar që jemi grumbulluar sërish me Kombëtaren. Shpresoj që do të mund t’i kemi dy lojë të mira, ku do të mund ta japim maksimumin dhe t’i marrim gjashtë pikë nga ky grumbullim”, ka thënë fillimisht Asllani.

Asllani 22-vjeçar, në nëntë ndeshjet e edicionit aktual në të gjitha garat ka katër gola të shënuar e dy asistime. Ai pritet ta ketë rastin në sulm në mungesë të sulmuesit kryesor, Vedat Muriqi. Muriqi mungon shkaku i lëndimit.

“Besoj se i gjithë ekipi është shumë i motivuar. Duam t’i mposhtim të dyja ekipet. Duhet ta japim maksimumin. Sot kemi filluar stërvitjet. Besoj se në ditët e ardhshme do të punojmë edhe më shumë taktikisht për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e ardhshme”, theksoi Asllani.

Ndërkohë për Andi Hotin, qendërmbrojtësin që ka 11 paraqitje me grupmoshën U21 të Kosovës, grumbullimi me Kosovën A është ëndërr e bërë realitet.

“Është një ëndërr e realizuar për mua që kam marrë ftesë për këtë grumbullim. Besoj se do t’i kemi dy lojë shumë të mira, me rezultat pozitiv. Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Grumbullimin e patëm sot, por nuk stërvitëm i gjithë grupi sepse dje lojtarët kanë pasur ndeshje dhe kemi bërë rigjenerim. Nesër fillojmë të gjithë së bashku dhe shpresojmë për një grumbullim shumë të mirë”, ka deklaruar 21-vjeçari Hoti, që luan te Magdeburgu në Bundesliga 2.

Kosova pas dy ndeshjeve në Grupin C2 ka një fitore e një humbje. Pësoi 3:0 nga Rumania, ndërsa fitoi 4:0 ndaj Qipros në udhëtim.

Grupit i prinë Rumania me gjashtë pikë, derisa Kosova e Qipro kanë nga tri pikë. Lituania e fundit është pa pikë.

Previous Story

Silvinjo e nis me 3 mungesa, Shqipëria në këmbët e Dakut. Ja si mund të luajmë në Çeki

Next Story

Përmbyllja e Javës Evropiane të Sportit

Latest from Blog

Go toTop