Shkup, 28 maj/indeks.mk/
-Vetëm brenda një jave, u shpallën rezultatet e dy anketave bërë nga anketues të ndryshëm, por në të dyjat, shihet një gjë që nuk lë dyshime në asnjë moment, se kurdo që të bëhen zgjedhjet parlamentare, të kohëshme ose të parakohëshme, në bllokun politik shqiptar parti fituese del Bashkimi Demokratik për Integrim dhe politikani më i besueshëm, është lideri i saj, Ali Ahmeti.
Njerëzit janë të prirë në mosbesim, shpesh duke dyshuar në rezultate “të porositura”, në afërsinë e anketuesve me subjekte të caktuara, por kur një parti del vazhdimisht e para në bllokun etnik të vetin, pavarësisht se kush është anketues, atëherë nuk mbetet kurrëfarë mëdyshjesh për besimin që gëzon te votuesit. Mund të ndryshojnë minimalisht numrat, por jo dhe vendi që e mban pothuajse prej se është paraqitur në skenë.
Edhe kësaj radhe, në anketën e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) dhe Institutit për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS) dhe Qendrës për Menaxhim me Ndryshime (QMN), Bashkimi Demokratik për Integrim ishte e para me 8 për qind besim, ndërkaq të gjitha partitë tjera, sa gjysma e kësaj.
Ndërkaq në anketën e dytë, atë të IPIS-it, kjo besueshmëri shprehet me 6,5 përqind, kundrejt partive tjera të cilat as bashkërisht nuk arrijnë ta kalojnë BDI-në. Një dallim midis dy anketave, qëndron te kategoria individuale, ku Ali Ahmeti është politikani i dytë në vend(6.6 për qind), pas liderit të opozitës, Hristijan Mickovski.
Këto dy anketa kanë një peshë të veçantë, për shkak se ato vijnë pas një fushate të ashpër kundër BDI-së dhe Qeverisë, ku veçmas merret në shënjestër zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi për shkak të angazhimit në realizimin e projektit të madh të korridoreve8 dhe 10D, në të cilat me ngulm opozita kërkon gjëra të hamendësuara.
Ky besim i qytetarëve i shprehur në këto anketa, tregon se qytetarët nuk i kanë dyshimet me të cilat mundohet të bëjë marketing politik opozita dhe dëshmon se BDI-ja, si promotor i korridoreve dhe Frontit për Evropë, dhe ndryshimeve kushtetuese që e mundësojnë këtë, janë diçka që qytetarët i shikojnë me pozitivitet, pasi rruga euroatlantike që e ndjek, nuk kanë alternativë.
Kur u shpallën rezultatet e anketës së parë, bëmë një analizë të shifrave ku edhe pse VMRO-DPME-ja dilte e para, nuk dilte njësoj edhe me koalicionet e mundshme për ekzakutiv, pasi LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca bashkërisht, do të mblidhnin më shumë vota se VMRO-ja dhe E Majta.
Edhe te anketa e dytë, ku VMRO-ja është për dy për qind më lartë(18 kundrejt 20 për qind), LSDM-në, e cila shënon poashtu pothuajse një poen më larta(12,9 kundrejt 12 për qind), koalicioni qeveritar do të dilte përsëri fitues, me kusht që VMRO-ja të mos bashkohet me Të Majtën. VMRO-ja do të favorizohej me ndihmën e Lëvizjes Besa dhe Alternativës, edhe pse për këto dy parti, gjithnjë për shkak të mentalitetit të votuesve shqiptarë, mund të paraqesë problem çfarëdo afërsie me VMRO-në për shkak të hamendësimeve të orientimit gjeopolitik.
Sa u përket matematikave para dhe pas zgjedhore, te të dy këto anketa faktor i rënësishëm mbeten një rezervë e madhe votuesish të papërcaktuar, për të cilat doemos do të përpiqen partitë t’i tërheqin në taborin e tyre!