„Nuk ka forcë që mund t`na kthej të kaluarën, sepse i dalin zot të gjithë ata, të cilët në zemër, mendje e shpirt e kanë shqiptarinë“, tha ndër të tjera, z.Ahmeti.
Nga: PhD. Dashnim HEBIBI / helveticALforum
Manifestimi filloi me hymnin kombëtar dhe me një minutë heshtje, duke i kujtuar të gjithë dëshmorët. Salla ishte e përmbushur me bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare.
U recitua një poezi nga moderatorja znj.Ornela Zela, që kishte ardhur nga Tirana dhe njëkohësisht disa pjesë të një kënge patriotike i këndoi pa instrumente muzikore dhe dha shumë emocione që në fillim të programit.
Znj. Zela tha se ky takim bashkoi shqiptarët e të gjitha trevave shqiptare. Është mision patriotik dhe kulturor, mision kombëtar, që të jemi bashkë.
Ne, nga kjo tribunë, vazhdoi znj. Zela, po përcjellim mesazhe paqeje dhe reflektimi për brezin e ri, sidomos që të mos e harrojnë sakrificën që luftëtarët e lirisë, dëshmorët e bënë dhe padyshim se dëshmorët ishin dhe mbeten shpirti i popullit. Ky takim, falë dëshirës dhe përpjekjes nga ‘Lëvizja’ në Zvicër, u bë e mundur që të mbahet. E ftuan të parin e këtij manifestimi, z. Sejdi Gega për një përshëndetje dhe hapjen e programit. Z. Gega foli për Lëvizjen dhe u ndal së kujtuari dëshmorët. Kujtoi të kaluarën e popullit tonë që dhanë gjakun që ne të jemi të lirë. “Sot 7 ditë më shume se 30 vjet e daljes së UÇK-së. Na ka bashkuar ideali i çlirimtarëve. Ata ishin që na ngjallën shpresën.”
Përshëndeti anëtarët e ish kryesisë së LPK-së, si Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani, Ali Ahmeti e shumë të tjerë që ishin prezentë.
Veçmas përshëndeti, z. Lazim Destani, filantropin e bëmirësin e njohur, i cili ishte i shoqëruar me z. Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore.
Përshëndeti edhe z. Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bern, z. Riza Demaj, përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe disa nga mediumet.
Ai theksoi se do të kemi për jetë mirënjohje për UÇK-në, Adem Demaçi, Familjen Jashari, nderime për të gjithë dëshmorët e kombit dhe bashkatdhetarët që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës.
“25 vjetori i Çlirimit të Kosovës përkon me këtë kohë, edhepse Kosova mbetet e copëtuar edhe sot e kësaj dite. Është festa e flamurit dhe festat tjera të nëntorit që po na bashkojnë. Në emrin e Shoqatës „Lëvizja“ dhe në emrin tim personal falenderoj secilin për kontributin që ka dhënë për çështjen kombëtare. Nderime edhe për shokët që nuk i kemi në mesin tonë”, ku i humbën fjalët nga emocionet dhe filloi të qajë për ata shokë që nuk i ka në mesin tonë fizikisht dhe ishin atdhetarë të devotshëm. “Liri për çlirimtarët që po mbahen në burg padrejtësisht. Dëshmorëve u takon lavdia dhe neve na takon puna me ndershmëri. Lavdi dëshmorëve e rroftë populli shqiptar”, përfundoi fjalën e tij z. Gega.
Vallja e demonstratave e luajtur nga valltarët e Shkollës së Vallëzimit “Shota” e themeluar nga atdhetari, tashmë i ndjerë, z. Agron Bajrami, që e kujtojmë me mall, por janë vajzat e tij, që po e përcjellin punën e babit dhe po e bëjnë një punë të shkëlqyer, të cilat u nderuan nga organizatorët me mirënjohje të veçantë.
Kjo shkollë e vallëzimit na dhanë emocione, duke na kthyer në vitet e hershme, për ata që kanë pjesë në protestat e 1981 me flamurin kombëtar me yll, duke kërkuar liri e demokraci, studentët e UP dhe i gjithë populli.
- Emrush Xhemajli, ish sekretar i LPK-së, foli rreth formimit të UÇK-së dhe për shumë histori interesante.
Ai vlerësoi kontributin e mërgatës ndër vite nëpër periudha të ndryshme kohore.
“Kur flasim për UÇK-në, sa herë që e përmendim, kemi emocione. Ishte e shenjtë, shpirtërore. Për lirinë e Kosovës, më meritorët janë komandanti legjendar dhe të gjithë dëshmorët, invalidët e luftës, veteranët dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar dhe mbi të gjitha dëshmorët, janë liria jonë, janë rrënjët e lirisë. E filluam luftën duke u mbrojtur. Para se të fillonte lufta e armatosur, kanë rënë rreth 200 dëshmorë, si Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhoshi e shumë e shumë të tjerë. Historia , ndër vite, ishte duke luftuar për liri e deri te themelimi i UÇK-së që ia treguam armikut se liria është e jona. Ishin vitet 1993-1994, ku jashtë vendit LPK, filloi stërvitjet e para të UÇK-së me ndihmën e disa ushtarakëve të Shqipërisë, që ishin në pension.
Më 17.11.1994 ne Arau, kryesia e LPK u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e mëhershme që të merren përsipër aksionet tona në Kosovë, kundër regjimit serbo-sllav. U vendos unanimisht me emrin më të mirë të mundshëm UÇK. Pra, në Zvicër është vendosur që të themelohet UÇK-ja. Komunikata e parë ishte nr.11. Shkresat ushtarake, vendosëm që të jenë të thjeshta, vetëm ushtarake, jo politike. UÇK ishte për të gjitha viset shqiptare. Kryesia 7 anëtarëshe ishte në fillim. U dha kodi x. Komunikata u nis nga posta e Shkupit për mediume. Lajmin për komunikatë e ka dhënë gazeta serbe dhe pastaj Rilindja edhe atë shumë shkurt. Serbia deklaronte se 24 orë nuk do ju zgjasë veprimtaria dhe do ta shkatërrojë. Ne ishim të vetëdijshëm, shumë të organizuar. Brenda pak ditëve Serbia burgosi shumë qytetarë. Gjatë gjykimit, për çudi kanë dalur se edhe disa prej tyre po shikojnë se kush po i bën këto grupe të armatosura. Edhe tash donte të na përçante e të na thyente, por nuk kishte kurrëfarë mundësie që t`na kthente prapa apo të na frikësonte.
Lufta jonë ishte e drejtë. Luftë vullnetare, autoktone. Jemi popull i vogël, por jemi krenarë se krijuam shtetin, dhe bashkimi, kemi bindje, se do të bëhet.
Forca jonë është në unitetin e të gjithëve, jo ndarje e jo përçarje. Mirënjohje Zvicrës dhe popullit zviceran dhe i kemi kërkuar falje, se ja kemi prishur qetësinë, që e vlerësojnë shumë. I themi përjetësisht faleminderit.
Padyshim se falenderojmë edhe SHBA-në dhe gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë. Lavdi dëshmorëve. Liri për çlirimtarët. Gëzuar festat”.
Foli edhe Xhevat Bislimi, pasi përshëndeti të pranishmit dhe këshillin organizativ edhe atë në emër të musafirëve të pranishëm që kishin ardhur për këtë manifestim nga Kosova, shtoi: ditën e madhe, 17 nëntorin që i dha Kosovës UÇK. UÇK ia ka ktheu shumë kilometra Shqipërisë.
Nëntori është muaj i shqiptarëve. Koha u dha të drejtë atyreve që patën guxim që të marin përsipër luftën për të çliruar tokat shqiptare.
Pastaj, përsëri në skenë u paraqitën valltarët e Shkollës së Vallëzimit „Shota“, ku e luajtën vallen e UÇK-së.
Para se ti jipej fjala Ali Ahmetit, me dy këngët e tij të njohura, artisti i madh i kombit, Arif Vladi, bëri që e gjithë salla të këndonte me të. Ai, pasi përfundoi së bëri përshëndetje për të pranishmit dhe në veçanti Riza Demajt, z. Sejdi Gega, pastaj tha: „ I kam kënduar dëshmorëve, por kur të kem parasysh një atdhetar të madh të kombit, është emocion, gjithashtu, i madh. Ti je hero për së gjalli! Nga skena iu drejtua z. Ali Ahmeti dhe e përqafoi.
Fjala përshëndetëse iu dha edhe Z. Ali Ahmeti, i cili, për disa ditë po qëndron në Zvicër dhe mbrëmë pati një manifestim shumë të madh në rrethinën e Cyrihut, ku ishte i pranishëm një numër jashtëzakonisht i madh i mërgimtarëve. Pasi ju përmend emri, të gjithë të pranshmit u ngritën në këmbë për ta përshëndetur. Ai falënderoi këta artistë që vallëzuan dhe duke përmendur edhe Agron Bajramin. Ai përmendi edhe disa shokë të tyre që nuk u ndalën për kombin. Falenderoi edhe Arif Vladin për kontributin e tij.
Nga këtu filloi uragani i lirisë. Sepse nga palca e dheut, nga palca e tokës lindi UÇK, nga gjaku i Jusuf Gervallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gervallës, nga gjaku dhe plagët e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, nga gjaku që në gjoks i priti plumbat Afrim Zhitia, Afrim Fazliu. Nga trimëria e burrëria e Ardian Krasniqit dhe gëzimi që do të mbetet në qiell i Luan Haradinajt, me nisjen e njësisë së kompanisë së parë me në krye Fehmi Lladrovcin dhe 20 ushtarë të përgatitur.
Gëzim më të madh se dalja nga palca e tokës e këtij gjaku që gëzonte trimat. Flamuri që do ngriste UÇK, nuk do të ulej ai famur. Të dashur vëllezër e motra, festojmë 28 nëntorin e 22 e germave shqipe, të germave të Fishtës e Ndre Mjedës. Sonte festojmë flamurin dhe ditën e pavarësisë. Jetë të jetëve i festofshim e i gëzofshim. Të rrojnë të gjithë ata që kontribuan me pushkë e penë që shqiptarët jetojnë me dinjitet në Kosovë dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si shtetformues dhe zot në shtepinë e vet. Nuk ka forcë që mund të na ktheë të kaluarën, sepse i dalin zot të gjithë ata, të cilët në zemër e mendje e shpirt e kanë shqiptarinë. Rroftë populli shqiptar.”
E gjithë salla në këmbë.
Pastaj fjala iu dha edhe z. Valon Gashit, Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bern, i cili, ndër të tjera tha:
„Të nderuar organizatorë, veprimtarë të devotshëm, ish-veteranë të luftës dhe të gjithë të pranishëm.
Është një nder dhe privilegj për mua të jem sot këtu, si përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, për të përkujtuar dhe nderuar 30-vjetorin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një prej faqeve më të ndritura të historisë kombëtare. UÇK-ja përfaqëson heroizmin, sakrificën dhe dëshirën e pashuar të popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet kombëtar. Ishte një luftë e drejtë, e udhëhequr nga burrat dhe gratë që me guxim të madh qëndruan përballë sfidave të ashpra, duke i hapur rrugën pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës.
Sot, ndërsa kujtojmë këtë jubile, është e rëndësishme të reflektojmë mbi rëndësinë e unitetit dhe të bashkëpunimit për të përparuar si komb dhe për të ruajtur idealet e lirisë dhe drejtësisë, të cilat frymëzuan UÇK-në. Ambasada e Republikës së Shqipërisë mbetet e përkushtuar në forcimin e lidhjeve tona me shqiptarët, kudo që janë dhe në mbështetjen e përhershme për Republikën e Kosovës në përpjekjet e saj për zhvillim dhe konsolidim ndërkombëtar. Ju falenderoj për kontributin tuaj të vazhdueshëm dhe për këtë organizim kaq të rëndësishëm që dëshmon kujdesin tuaj për ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare. Lavdi dëshmorëve të UÇK-së dhe nderim për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës! Faleminderit! „
Pas fjalës së z. Gashi, filloi përsëri programi artistik me këngë.
- Xhevat Zekaj lexoi një telegram nga z Fazli Veliu, i cili i përshëndeti të pranishmit me disa fjalë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Me një fjalë përshëndetëse në emër të LAPSH-it, e pati edhe z. Riza Demaj, duke përshëndetur të pranishmit dhe duke ua rikujtuar të gjithëve që ti dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe, ta ruajmë gjuhën tonë kombëtare, të jemi të bashkuar dhe ne shqiptarët herëdokur do të ribashkohemi. Gjuha ështe shpirti i kombit. UÇK ishte në mision të shenjtë. Më e suksesshme në të gjitha kohët, sepse e bëri aleancën më të fortë botërore ta ndihmojë. Nuk ka forcë që do na ndalë për bashkimin kombëtar. Të gjithë e duartrokitën z. Demaj. Znj. Ornela Zela e moderoi manifestimin edhe pse kishte pasur një lëndim, megjithatë ishte e mbushur me emocione dhe të pranishmit e mirëpritën moderimin e saj me fjalët më të mira të mundshme. Prezent ishin edhe veprimtari z.Rafet Ademi nga Tërnoci i Bujanocit / Lugina e Preshevës, themelues i disa shoqatave kulturore të Luginës dhe PhD.Dashnim Hebibi, që përfaqësoi edhe shoqatën Humanitare “Lugina e Preshevës” me qendrën e saj në Gossau të St.Gallenit. Krejt në fund, realizuan edhe foto kujtimi me mysafirët e ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
- ——-
(17.17 min ) Festat e Nëntorit – Muaji i Lavdisë Kombëtare për Shqiptarët Bashkoi Mijëra Bashkatdhetarë
Edhe Sot në Birr-ArgauMe organizim nga Shoqëria „Lëvizja“, dega jashtë atdheut, sot, me datë 24.11.2024, sapo përfundoi manifestimi i madh, kushtuar festës Kombëtare, 28 Nëntorit dhe Festave të tjera të Nëntorit.
Ishin të pranishëm mbi 1.000 bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare dhe në skenë nga katër anët e sallës shiheshin tre emblemat e çlirimtarëve, ajo e UÇK-së, UÇKombëtare, UÇPMB dhe flamuri ynë kombëtar, emblema e LPK-së, foto portreti i Adem Demaçit dhe Adem Jasharit.
Familjarë të dëshmorëve, ish-anëtarë e simpatizantë të LPK-së, të UÇK-së, aktivistë të fondeve të tri emblemave të UÇK-së.
U shënua edhe 30-vjetori i UÇK-së
Nga Kosova, Maqedonia Veriore dhe Lugina e Preshevës, ishin edhe ish-anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, delegat të Mbledhjes së 4-të të Përgjithshme (korrik 1993), aktivistë dhe përsonalitete të shquara të Çështjës Kombëtare.
Në nderim, përkujtim dhe respekt për 30-vjetorin e UÇK-së dhe Festave të Nëntorit kishte një program të pasur artistik me këngë, valle recitime, ku artisti i madh i këngës së bukur shqipe, z. Arif Vladi, Xhemail Murtishi, Osman Kelmendi, Naim Selmani, Alim Dauti dhe ish këngëtarët e SH.K. Artistike “Luftëtaret e Lirisë”, grupi i valleve nga Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “SHOTA”, etj.
Aktiviteti i Shoqërisë “Lëvizja” në Zvicër, u përcjoll edhe nga RTK dhe disa media të tjera. I pranishëm ishte edhe z.Ali Ahmeti i cili për disa ditë po qëndron në Zvicër i shoqëruar me disa bashkëpunëtorë. I pranishëm për të nderuar luftën e lavdishme të UÇK-së ishte edhe Filantropi z.Lazim Destani i shoqëruar nga z.Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore. Z.Valon Gashi, sekretar i parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bern e përfaqësoi Ambasadën, ndërsa nga Ambasada apo Konsullata e Kosovës nuk kishte të pranishëm nga ajo që ka pa helveticALforum.ch.
Ky manifestim u organizua në Birr, Wyde 1 (Argau), dhe filloi në orën 13.30. Z.Sejdi Gega kryetari Shoqërisë „Lëvizja“, dega jashtë atdheut, pati një barrë të madhe të organizimit. Se si ka shkuar në tërësi manifestimi, kush e mori fjalën, se çka tha Ali Ahmeti, kur u themelua UÇK-së saktësisht, me sa anëtarë ishte në fillim, cila ishte komunikata që u nis nga Shkupi, kush e dha lajmin për komunikat, kush ishin musafirët nga Kosova dhe çka thanë, çka tha edhe Arif Vladi kur ju drejtua Ali Ahmetit e për shumë gjëra të tjera për pak kohë, do të lexoni në platformën tonë dhe tuajën helveticALforum.ch
Disa nga FOTOTOT E REALIZUARA