Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka shpehur ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit të Finlandës, njeherazi dhe ish-diplomatit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.
Ahmeti në mesazhin e tij ngushëllues shkruan se kombi shqiptarë mbetet mirënjohës ndaj kontributit të Ahtisaarit për zgjidhjet e statusit të Kosovës drejt pavarësisë së saj.
Statusi i plotë:
Me keqardhje pranova sot lajmin për ndarjen nga jeta të diplomatit të Kombeve të Bashkuara, nobelistit të paqes dhe ish presidentit të Finlandës, z. Martti Ahtisaari. Me karakterin e tij paqedashës, z. Ahtisaari la gjurmë të pashlyeshme kontributi në shumë misione të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa kombi ynë mbetet përjetë mirënjohës ndaj angazhimit të tij të sinqertë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, vendosjen e drejtësisë në vend dhe për konkretizimin e pavarësisë së saj. Këmbëngulja e tij mbi ngadhënjimin e vlerave të paqes, zëri i tij i ngritur fuqishëm dhe guximshëm kundër padrejtësisë, le të jetë frymëzim i përjetshëm dhe parim i ndërtimit të jetës sonë shoqërore. Qoftë i përjetshëm kujtimi për madhështinë e personalitetit të tij! Ngushëllime të sinqerta familjes Ahtisaari, të gjithë bashkëveprimtarëve të tij kudo në botë dhe atyre që e njohën! U prehtë në paqe!