Ahmeti: Serbia t’i ndalë provokimet, integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës i paprekshëm

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka lëshuar reagimin e tij në rrjetet sociale pas ngjarjeve shqetësuese e tensionuese në Veri të Kosovës, ku u kidnapuan tre polic të Kosovës nga ana e forcave serbe.

Ahmeti në reagimin e tij, shpreh shqetësimin e tij të thellë për situatën e tensionuar në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Nëpërmes këtij reagimi, Ahmeti dënon ashpër aktin e kidnapimit të policëve të Kosovës nga forcat speciale të Serbisë dhe thotë se pret lirimin e menjëhershëm të tyre.
Thotë se pala serbe duhet t’i ndalë provokimet.

“Pala serbe duhet ti ndalojë provokimet menjëherë dhe të dyja palët të ulen urgjentisht në tavolinën e bisedimeve dhe me ndërmjetësimin e aleatëve tanë, bashkësisë euro-amerikane, t’i japin fund kontestit shumëvjeçar përmes njohjes së ndërsjelltë. Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i garantuar nga faktori ndërkombëtar. Tani është koha të ndërmerren veprime që të ruhet paqja, stabiliteti rajonal dhe perspektiva jonë europiane”, ka nënvizuar Ahmeti.

Share

Go toTop