Adisa, e apasionuar pas aktrimit dhe televizionit!

June 13, 2023

Profesoresha e gjuhës shqipe, Adisa Ibrahimi(1997), ka vite që nuk e ushtron profesionin e saj. Si e punësuar në Entin Shtetëror të Statistikës, ka preokupime tjera pune. Haraçinasja e lindur që jeton në Shkup, 6-7 vitet e fundit, i është përkushtuar një angazhimi tjetër, sa hobi, aq dhe preokupim që i jep kënaqësi të veçantë, aktrimit, në kuadër të Grupit Teatror “Bekim Fehmiu”. Sivjet realizoi edhe një rol, atë të Hanës, më të voglës motër të Hisen agës, në shfaqjen “Koka e gjarprit” së autorit Sabri Dauti, në regjinë e aktorit Mejdi Alidemi. Në të vërtetë, me Mejdi Alidemin dhe Sadri Jakupin, Adisa përbëjnë bërthamën organizative dhe promotorët e këtij grupi amator që ka hasur këto vite në përkrahjen e Shtëpisë së Kulturës “Koço Racin”, duke iu dhënë strehë dhe hapësira për aktivitetet e tyre. Rezultati është i njohur: përderisa skena teatrore amatore te ne është pothuajse tërësisht e pasivizuar, “Bekim Fehmiu” tubon talente të reja, duke iu mundësuar që në shfaqjet e realizuara me shumë përkushtim, t’i përjetojnë çastet e tyre të shkëlqimit skenik. Adisa është njëra nga ato të reja që e nisi me këtë grup teatror, dhe vazhdon me zell të veçantë. Aq sa luan vetë në shfaqjet, aq i ndihmon dhe regjisorit për “kastingun” e aktorëve sipas kërkesave dhe nevojave të shfaqjeve. Karakterit të Hanës, ajo i dha pjesë të karakterit të vet, shumë e ngjashme, ndaj dhe ndoshta s’e pati vështirë për ta luajtur me ndjeshmëri të rrallë, si engjëll i mirë i vëllait të saj pranë shtratit të lëngatës.

Përveç si aktore në shfaqjet e Grupit Teatror, ajo ka marrë pjesë edhe në manifestime të tjera kulturore, si orët letrare që organizon shtëpia e Kulturës ose Shoqata ABC poetike, me ç’rast veçon kujton recitimet e poezive të shoqes saj të ndjerë, Semine Hasani që ndërroi jetë gjatë pandemisë.

-Adisa, në shfaqjen “Koka e Gjarprit”, luan një nga rolet kryesore atë të motrës vogël Hana, por ky nuk është roli i parë , na thuaj për përvojën tënde të deritashme si aktore e Grupit Teatror ” Bekim Fehmiu”?

-Artin dramatik e kam për shpirt që e vogël, dhe  është një dashuri që s’ka fund. Që prej vitit 2017 jam aktore në Grupin Dramatik “Bekim Fehmiu “, dhe bashkë me regjisorin Mejdi Alidemi,  drejtorin Safet Kamberi dhe organizatorin Sadri Jakupi, jemi përpjekur të mbajmë kontinuitetin e aktiviteteve për çdo vit. Ne jemi grup teatror jo profesional, por përpiqemi të luajmë në mënyrë profesionale me 10 aktorë e më shumë dhe secilin vit e luajmë nga një projekt të ri, qoftë dramë, tragjedi apo komedi.

Fillet e mia aktoriale kanë qenë në shfaqjen ” Nuk martohem me pare ” ose “Buçitja e maleve” të autorit Myrteza Peza, luajtur në Teatrin e Kumanovës, ku kam pasur dy role, Nënën dhe Nairen.  Një vit më vonë, te “Besa” e Sami Frashërit, isha Saidja, shoqja e ngushtë e Merushës. Në vitin 2019, me dramën “Dashuria e Talatit me Fitnetën”, prapë kisha dy role, nënë Sherifen dhe mësiten.  Te “Një natë në hotel”, sipas tekstit të Muharrem Shahiqit, në vitin 2020,  isha Bukurie-Buki, “misi i hotelit”, që ua hedh të gjithëve dhe e çon hotelin në falimentim. Pasi në 2021 shkaku pandemisë nuk mund të jepnim shfaqje, vitin tjetër, 2022, e vumë në skenën komedine “Zi e më zi” të Kristo Floqit, që e dhamë në Shtëpia e Kulturës ” Koço Racin” . Aty roli im ka qenë Galica, një këshilltare dhe ndihmëse e zojës së shtëpisë. Sivjet, siç e dini, sapo e  luajtëm dramën ” Koka e Gjarprit ” nga autori Sabri Zirap Dauti, ku e luaj Hanën, motrën më të vogël të Hisenit, një karakter vërtet simpatik dhe pozitiv, e cila me sinqeritetin më të madh i kushtohet përkujdesjes së vëllait të sëmurë.

-Në të gjitha shfaqjet ke bashkëpunuar me aktorin Mejdi Alidemi si regjisor… Na thuaj si është të bashkëpunosh me të, si i motivon dhe orienton në aktrim ai talentet e reja?

-Që nga viti 2017 regjisori më ka mirëpritur krahë hapur, dhe falë ndihmës së tij që aspak nuk lodhet me ne duke na ushtruar me gjithë mundim, ne jemi këtu ku jemi sot. Regjisori është shtylla kurrizore për ne, na ushtron në mënyrën më të mirë të mundshme, punon fort me secilin nga ne dëshiron që të arrijmë lartë e më lartë.  Motivin, durimin dhe pozitivitetin që e ka ai,  thjeshtë na nxit që të dalim sa më faqebardhë dhe sa më së miri para publikut. I jam falënderuese dhe mirënjohëse pa fund, e kemi si një baba të dytë.

-Ti kryen tjetër profesion, por luan në shfaqje, çka do të thotë për ty aktrimi ? Sa të përmbush dalja përpara publikut?

-Po, i qëndroj pas mendimit tim se kur njeriu dëshiron diçka, do të gjejë mënyrën, pavarësisht kohës, që ta realizojë. Jam edhe anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Abc Poetike, sepse mua arti më fle në shpirt. Aktrimi është ushqim shpirtëror që asnjëherë nuk ngopet njeriu së dashuri atë. Nuk ka më bukur se kur ne luajmë personazhe të tjera që na jepen, me shumë dashuri pasion dhe vullnet. Dalja para publikut është sikur qielli i mbushur me yje që presim vetëm të shkëlqejmë me entuziazmin  dhe dashurinë e flaktë të aktrimit.

– A është aktrimi vetëm një aktivitet kalimtar, apo edhe ndoshta ke plane më ambicioze?

-Deri më tani i kam arritur gjërat që i kam dashur, e planet nuk kanë fund. Aktrimi është pika kryesore që m’i ka hapur rrugët të kyçem edhe në aktivitete të tjera. Po shpresoj të kem  shëndetin dhe energjinë e mos të ndalem asnjëherë me plane të reja si Adisë që s’njeh kufi, dhe i do sfidat, ku e do, aty e gjen.

 

Previous Story

Beniada shtatzënë? Flet vetë modelja…

Next Story

Ky është i dashuri i ri i Dafina Zeqirit (FOTO)

Latest from Blog

Go toTop