Në dritën e arrestimeve të fundit në Ferizaj, për të cilat disa media raportuan se njëri prej të arrestuarve për spiunazh për BIA-n serbe është babai i gazetarit Zekirja Shabani, i cili ishte aktiv në fushatën zgjedhore në mbështetje të koalicionit VLEN dhe kryetarit aktual të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashit, Arbër Ademi nga radhët e BDI-së tha sonte për “Lokalno” se opinioni duhet të shqetësohet seriozisht.
“Shqetësimi i opinionit publik duhet të përkthehet në veprim të menjëhershëm institucional si dhe në përgjegjësi minimale morale nga Afrim Gashi për bashkëpunim me strukturat serbe gjatë gjithë fushatës, e ndoshta edhe më gjatë. “Ky nuk është skandali i vetëm i Gashit nga aspekti ndërkombëtar dhe me kalimin e kohës do të zbulohen të gjitha defektet që e bëjnë atë të papërshtatshëm për të mbajtur poste publike në vendin tonë”, tha Arbër Ademi.
Ai po ashtu ka theksuar se Gashi duhet t’i shpjegojë opinionit arsyet pse ka bashkëpunuar me një bashkëpunëtor të BIA-s dhe cili ka qenë roli i tyre në mbështetjen e të mundurve (VLEN) në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur po shfaqen akuza të rënda për përfshirjen e strukturave serbe dhe ndikimet ruse në Ballkan.
Milorad Dodik nga Rusia sot tha se “Republika Srpska” do të mbajë referendum për pavarësim nga Bosnja dhe Hercegovina dhe data do të përcaktohet në përputhje me interesat e palëve të tjera dhe më pas njoftoi se do të pasojë aneksimi në Serbi.