Asgjë nuk ju emocionon më, ndiheni të ndenjur pa ju shqetësuar asgjë, jeni indiferent ndaj njerëzve që ju rrethojnë dhe në përgjithësi ka një situatë stagnuese dhe të qëndrueshme në jetën tuaj, të cilën e ndiqni “automatikisht”, pa menduar dhe pa emocione.
Përpara se të analizojmë më shumë fenomenin e mungesës së emocioneve, le të shohim 5 shenjat, të cilat zbulojnë se mund të jeni në një fazë ku jeni një person “emocionalisht bosh”:
Ndiheni të shkëputur nga vetja dhe të tjerët
Ju nuk mund t’i ndjeni lehtësisht ndjenjat e njerëzve të tjerë
Keni humbur interesin për gjërat që më parë ju emociononin
Në përgjithësi keni një ndjenjë se “nuk ju intereson asgjë”
Mungon produktiviteti dhe motivimi për çdo fillim të ri
“Të jesh emocionalisht bosh manifeston një gjendje më të përgjithshme ku mungon vullneti për të jetuar. Është një gjendje ndryshe nga depresioni, pasi personi nuk ka prirje vetëshkatërruese, por mungon ndjenja, lidhja emocionale me njerëzit që e rrethojnë, nuk i intereson si do të zhvillohen gjërat në jetën e tij dhe në në përgjithësi, ka një lodhje dhe letargji”, thotë Kara Nassour, një psikologe e licencuar në Teksas.
Kjo gjendje mund të prekë miliona njerëz në një moment të jetës së tyre dhe kryesisht vjen ose pas një përvoje traumatike, ose pas humbjes, stresit apo edhe zhgënjimit të madh.
Është e mundur që një person të ndihet bosh emocionalisht, pas një marrëdhënieje traumatike për shembull, pas një zhgënjimi ose humbjeje të tmerrshme. Është një gjendje automatike në të cilën truri hyn për të mbijetuar, por edhe për të larguar ndjenjat e pakëndshme. Të mos ndjehesh fare duket si një alternativë më e mirë sesa të ndjesh diçka ose pozitive ose negative.
Megjithatë, është e rëndësishme që ky person të fillojë gradualisht përpjekjet për t’u rilidhur me brendësinë e tij. Të gjejë sërish vullnetin për të jetuar, eksitimin, por edhe lidhjen me njerëzit e tjerë dhe ndjenjat e tij. Përndryshe, një personalitet emocionalisht i zbrazët mund të çojë në probleme të mëtejshme të shëndetit mendor si depresioni, stresi post-traumatik, çrregullimet e panikut dhe më shumë./abcnews.al