Më 5 shtator të vitit 1997 ndërroi jetë Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza e Kalkutës. Si çdo vit bota përkujton përvjetorin e ndarjes nga jeta të murgeshës së nderuar e njohur për kushtimin e jetës së saj dhe për kujdesin ndaj të sëmurëve dhe nevojtarëve, e cila edhe sot e kësaj dite mbetet një nga humanitaret më të nderuara në histori për shërbimin që ajo dhuroi.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ka lindur më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup. Betejat që ajo zhvilloi kundër varfërisë globale i dhanë asaj Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979. Më 13 mars 1997, Nënë Tereza dha dorëheqjen si kryetare e Misionarëve të Bamirësisë, ku dhe nërroi jetë më 5 shtator të po këtij viti.
5 shtatori u caktua si Ditë Ndërkombëtare e Bamirësisë nga Kombet e Bashkuara, për nder të shërbimit të jashtëzakonshëm që Nënë tereza realizoi ndaj të varfërve pavarësisht nga përkatësitë e tyre fetare.
Në një përshkrim për veten e saj, ajo tha: “Me gjak jam shqiptare. Nga shtetësia, indiane, me besim jam murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, i përkas botës. Për sa i përket zemrës, i përkas tërësisht zemrës së Jezusit.”
Ndërsa e gjith bota vazhdon që të festojë jetën dhe trashigiminë që Nënë Tereza la pas, ne ju dhurojmë disa nga thëniet e saj më frymëzuese dhe sfiduese:
“Nëse nuk mund të bësh gjëra të mëdha me dashuri, bëj gjëra të vogla me shumë dashuri.”
“Nëse ju dëshironi të ndryshoni botën, filloni nga ju vetë.”
“Jeta është e shkurtër, por dashuria është përjetësi.”
“Jeta është si një laps. Ju mund të shkruani një histori të bukur me të.”
“Dhurata më e madhe që mund të jepni është dashuria.”
“Dashuria nuk kërkon shumë, por jep shumë.”
“Nëse ndiheni të vetmuar, shkoni dhe ndihmoni dikë tjetër.”
“Dikur besoja se lutja i ndryshon gjërat, por tani e di që lutja na ndryshon neve dhe ne i ndryshojmë gjërat.”
Të jesh i padëshiruar, i padashur, i pakujdesshëm, i harruar nga të gjithë, mendoj se kjo është një uri shumë më e madhe, një varfëri shumë më e madhe sesa personi që nuk ka asgjë për të ngrënë”.
“Varfërinë nuk e krijoi Zoti. Jemi ne që e kemi shkaktuar atë, ju dhe unë përmes egoizmit tonë”.