Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen dhe kancelarin gjerman, Olaf Sholc (o. Scholz), Rama tha se ky Samit u mbyll “me ndjenjë të vërtetë miqësie”.
Teksa përmendi sfidat me të cilat është përballur rajoni, BE dhe e gjithë bota, kryeministri shqiptar tha se ato kanë shërbyer, nga ana tjetër, për të forcuar bashkëpunim.
“Samiti u mbyll me diskutime mjaft të frytshme, me shkëmbime të hapura dhe ndjejnë të vërtetë miqësie. Ky është një moment i vështirë në kohë për çdokënd dhje sfidat që përballemi janë të jashtëzakonshme për shkak të krizave që na kanë goditur të gjithë ne. Nuk duket se gjërat bëhen më mirë para se të përkeqësohen në shumë fronte, përfshirë frontin e ri të tmerrshëm në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit. Por këto kohë kanë farkëtuar miqësinë tonë, bashkëpunimit tonë, ndjenjën e përbashkësisë dhe falë udhëheqjes së BE, ajo çfarë ka ndodhur është shfrytëzuar për të parë përpara me një besim më të fortë kundrejt BE. Jeni një fuqi e qetë e mbresëlënëse që këmbëngulni për t’i shtyrë BE dhe Ballkanin Perëndimor për të ardhur më afër me njëri-tjetrin”, tha Rama.
Krerët e Bashkimit Evropian kanë përmendur vitin 2030 si një datë për anëtarësimin e mundshëm të shteteve aspiruese të rajonit.
“Viti 2030: anëtarësimi është një proces me bazë merite. Nuk mund të ketë datë të ngulitur që pavarësisht reformave që ke kryer, hyn në Bashkimin Evropian. Kjo s’ka për t’u pranuar kurrë nga shtetet anëtare. 2030-ta në mandatin tjetër mund të nënkuptojë joanëtarësim. ndaj mendoj se metodologjia e pranuar bazohet te meritat dhe kjo vlerëson më shumë vetë vendet, sepse janë përpjekjet dhe sukseset e tyre që dalin në pah dhe është incentivë më e fortë për të hedhur hapat e mëtejshëm. P.sh. po të marrin Planin e ri të Rritjes, është po ashtu i bazuar te meritat, sepse thuhet reformohu dhe do të kesh fonde dhe investime. Ky besoj se është një incentivë më e mirë sesa të pasurit një proces të ngulitur që do të ishte më automatik dhe që metodologjia aktuale nuk e parashikon,” tha presidentja e Komisionit Evropian.
Në takimin 1-ditor të Procesit të Berlinit, fokusi i temave të ditës ishte zgjerimi dhe Plani i Rritjes për BP-në, gjë që u theksua edhe nga presidentja e KE-së, fon der Lajen.
“Vitin e kaluar thashë se me Shqipërinë në krye, Procesi i Berlinit do të ishte në duar të sigurta dhe ashtu ndodhi. Shumë mbetet për t’u bërë. Ekonomitë tona duhet të jenë më afër dhe duhet të shpejtojmë reformat për anëtarësimin. Prandaj u prezantova liderëve Planin e Rritjes. Nëse zbatohet, ka potencialin të dyfishojë përmasën e ekonomisë së BP-së brenda dekadës.
Ka katër shkalla: e para është të sjellim BP-në në tregun e vetëm. Kemi hapur dyert e tregut të vetëm në 7 fusha kryesore për kompanitë e rajonit. Për shembull, bashkëpunimin mes klientëve, e-commerce, pagesat pa para në dorë, transporti rrugor, roaming, energjia. Shtylla e dytë: BP-ja duhet të plotësojë tregun e përbashkët rajonal, gjë që mund ta rrisë GPD-në e BP-së me 10 për qind, pra këto vende duhet të hapen ndaj tregjeve të njëri-tjetrit. Shtylla e tretë janë reformat. Për të pasur akses te tregu i vetëm i BE-së do të thotë që nevojiten reforma për t’i sjellë ato edhe më afër anëtarësisë, për t’i bërë edhe më tërheqëse për investitorët e huaj. Sot kemi një situatë ku ekonomitë e BP-së janë sa 37 për qind e mesatares së BE-së, ndaj duhet bërë më shumë punë për të pasur konvergim të ekonomive. Dhe shtylla e katërt e Planit: nëse bëhen përpjekje për reformat, do të ketë fonde në rritje për investime. D.m.th. kemi propozuar një paketë investimesh 6 miliardë euro, 2 milardë grante dhe 4 miliardë kredi.
Kjo logjikë zbatohet edhe për shtetet anëtare në të ardhmen, investimet dhe reformat, pra janë të kushtëzuara. Kjo funksionon në BE dhe ka për të funksionuar edhe në Ballkanin Perëndimor. Ne duam të ecim përpara dhe më shpejt, ndaj ta kapim këtë moment,” tha presidentja fon der Lajen, ndërsa e nisi fjalën e saj me dënimin e krimeve të luftës së saponisur në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe palestinëve të Hamasit.
“Ne jemi këtu për të sjellë pranë Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian. Por në të njëjtën kohë sytë e botës janë te Izraeli dhe Palestina, edhe mendjet tona. Nuk mund të ketë justifikim për vrasjet e tmerrshme të Hamasit, për vrasjen brutale të 1.400 qytetarëve të Izraelit. për këtë, izraeli ka të drejtë të mbrohet në linjë me ligjin humanitar dhe ndërkombëtar. Palestinezët po ashtu kanë nevojë për ndihmë. Nuk mund ta paguajnë ata çmimin e barbarizmit të hamasit, prandaj kemi trefishuar ndihmat humanitare për civilët e Gazës me 75 milionë euro dhe do të çojmë ndihma të tjera përmes Egjiptit deri në Gazë. Fluturimet e para nisen këtë javë,” shtoi presidentja fon der Lajen.
Znj. fon der Lajen dënoi sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës, duke thënë: “Tani jemi në procesin kur faktet e sulmit duhen zbardhur dhe presim raportimin para se të vendosim rezultatin e hetimit dhe pastaj do të vendosim në bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare.“
Ndërkaq, kancelari Sholc e përsëriti mesazhin në emër të Gjermanisë dhe në frymën e përgjithshme të BE-së për aktivitetet e dhunshme në veri të Kosovës.
“E dënojmë vërtet sulmin ndaj policëve dhe të gjitha aktivitetet që i pamë në Kosovë, duke sulmuar institucionet dhe njerëzit. Janë gjëra që s’do t’i pranojmë, dhe është e qartë që BE-ja, shtetet anëtare dhe Gjermania, janë të qartë në këtë pikë,” tha kancelari Sholc.