Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka përkujtuar policin e Njësisë Specile ROSU, Triumf Riza i cili u vra më 30 gusht të vitit 2007.
“Karakteri i fortë, vullneti i hekurt, përkushtimi serioz, por edhe afërsia njerëzore – e kanë karakterizuar gjithmonë Triumf Rizën, edhe gjatë shkollës së mesme, në të cilën ishim bashkë”, ka shkruar Krasniqi.
“Me 30 gusht të vitit 2007, saktësisht 16 vite më parë, Triumfi u vra pabesisht dhe tinëzisht, duke na lënë përherë të pikëlluar të gjithëve, e veçmas familjen e tij. Edhe sot e kësaj dite, drejtësia për Triumfin nuk e ka marrë epilogun e pritur. Do të të kujtojmë përherë, shok i dashur!”, ka përfunduar Krasniqi.
Ndërsa së fundi lidhur me rastin e vrasjes së Triumf Rizës, më 16 korrik 2023 është arrestuar edhe i dyshuari Ilir Avdullahu, i cili gjendet në paraburgim.