PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Hyn në fuqi Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë
Posted date: 14.02.2018
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe kolegia e tij bullgare Ekaterina Zaharieva sot në Sofje do të nënshkruajnë Protokoll për këmbimin e dokumenteve të ratifikimit, me çka zyrtarisht në fuqi do të hyjë Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të dy vendeve.

Me këtë praktikisht do të përfundojë procedura formale për të hyrë në fuqi Marrëveshja, pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Maqedonisë më 15 janar dhe në Parlamentin bullgar tre ditë më vonë.

Marrëveshja, siç njoftoi paraprakisht MIA, u nënshkrua më 1 gusht të vitit 2017 nga ana e kryeministrave të dy shteteve, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, për shkak të përforcimit të marrëdhënieve të ndërsjella miqësore, avancimin e fqinjësisë së mirë, zhvillimin e marrëdhënieve të gjithanshme në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

Marrëveshja është rezultat i procesit negociues pesëvjeçar i grupeve të punës të dy MPJ-ve dhe paraqet sendërtim të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1990.

Dimitrov prej sot po qëndron për vizitë pune në Sofje, ku është paraparë të ketë takime bilaterale me përfaqësuesit e autoriteteve bullgare.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë sot, përveç me Zaharievën do të takohet edhe me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev dhe kryeministrin Bojko Borisov.

Ai prej nesër merr pjesë në takimin joformal të ministrave të punëve të jashtme të BE-së.

Gjendja në Ballkanin Perëndimor, me theks të procesit eurointegrues të rajonit, si dhe situata në Siri dhe në Korenë Veriore, do të jenë temat në të cilat do të diskutohet në sesionet e takimit joformal të Këshillit për punë të jashtme të BE-së (Gimnih), që nesër dhe pasnesër do të mbahet në Sofje.

Nikoqir i takimit është zëvendëskryeministrja bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva, vendi i së cilës është kryesues aktual me BE-në.

Në takimin joformal do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, shefat e diplomacive të 28 vendeve anëtare, si dhe ministrat e punëve të jashtme të pesë vendeve kandidate nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Gimnih  është një kështjellë në pjesën perëndimore të Gjermanisë, e cila ishte shtëpi mysafirësh e qeverisë së Gjermanisë së dikurshme perëndimore. Ky është vendi ku u mbajt takimi i parë joformal i shefave të diplomacive të BE-së në vitin 1974.

Këto takime janë joformale, ndërsa pjesëmarrësit kanë mundësi të diskutojnë për çështjet aktuale, por pas debateve nuk miratohen deklarata ose konkludime formale