PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Plas te Milani, menaxheri-Donarumës: Prishe kontratën me Milanin
Posted date: 13.12.2017
Rinovimi faraonik i verës solli qetësinë mes Xhanluixhi Donarumës dhe Milanit, por në të vërtetë kjo është vetëm një fasadë boshe, pasi gjërat nuk kanë ecur aspak kështu.

Duke parë atë që shkruante dje “Corriere della Sera”, mes 18-vjeçarit dhe klubit kanë nisur përplasjet e radhës lidhur me presionet që portieri ka marrë nga ata në rastin e hedhjes së firmës në akordin e ri, në korrik dhe me skadencë 30 qershorin e vitit 2021, për një pagë prej 5.5 milionë eurosh në sezon, plus bonuset (500 mijë euro të tjera, në rast të plotësimit të 70 për qind të numrit të ndeshjeve sezonale).

Mungojnw klauzolat

Për këtë arsye, menaxheri i futbollistit, Mino Raiola, nëpërmjet këshilltarit të tij ligjor, avokatit Rigo, i ka dërguar një komunikatë zyrtare Milanit, në të cilin kërkon prishjen e kontratës duke apeluar për një dhunë psikologjike të ushtruar ndaj “Xhixhos”. Ky fakt i referohet pikërisht atij 11 korriku, datë në të cilën Xhanluixhi Donaruma firmosi kontratën pas një telenovele që zgjati një muaj. Raiola, i cili kishte munguar në ditën e firmës, në “Casa Milan” ka mësuar me vonesë faktin që avokati Rigo kishte lënë mbledhjen mes portierit dhe drejtuesve, i irrituar, në momentin e hedhjes së firmave.

Menaxheri i mbrojtësit ekstrem kuqezi ka nisur menjëherë punën për të zgjidhur këtë çështje, pasi ka mësuar se Milani ka depozituar në Ligë kontratën, pa firmën e palës tjetër, në lidhje me klauzolat. Pakti mes palëve ka qenë vendosja e një klauzole për prishjen e kontratës 70 milionë euro në rast kualifikimi në Champions ose një zhvlerësim i vlerës në 40 milionë euro, e cila me sa duket është shmangur nga drejtuesit e Milanit pa ia bërë të ditur menaxherit.

Prandaj, këtë çështje, Mino Raiola ka vendosur që ta ndjekë në rrugë ligjore për të prishur kontratën e firmosur vetëm 5 muaj më parë. Kjo do të thotë se nëse menaxheri i Donarumës arrin ta fitojë këtë betejë, portieri do ta gjente veten me kontratën e vjetër, e cila kishte si skadencë 30 qershorin 2018. Kjo do të thoshte që, në verë, 18-vjeçari italian mund të largohej nga kuqezinjtë me parametër zero.